Vendosni fjalën kyçe....

Partia opozitare çeke fiton shumicën e bashkive të mëdha në zgjedhjet lokale


Partia opozitare ANO e ish-kryeministrit çek Andrej Babis fitoi shumicën e qyteteve kryesore të vendit në zgjedhjet bashkiake, që shihen si një provë për trajtimin e krizës energjetike nga koalicioni qeverisës.

Republika Çeke, si shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian, ka qenë duke luftuar me inflacionin në rritje të nxitur kryesisht nga çmimet e larta të energjisë.

Opozita thotë se qeveria e kryeministrit Petr Fiala ka bërë shumë pak dhe shumë vonë për të ndihmuar njerëzit.

Siç shkruan Reuters, çekët votuan në më shumë se 6 mijë komuna të premten dhe të shtunën, por rezultatet përfundimtare u shpallën të dielën në mëngjes për shkak të një sistemi të komplikuar të shpërndarjës së votave.

Partia ANO e cila është në opozitë që nga vjeshta e kaluar, fitoi 17 nga 27 qytetet e mëdha, por doli e dyta në dy më të mëdhatë – kryeqytetin Pragë dhe Brno, ku fituan partitë e koalicionit aktual qeverisës.

Shumica e vendeve në asambletë vendore 38 mijë e 99 nga 61 mijë e 796 gjithsej – u takojnë grupeve të ndryshme të kandidatëve të pavarur, të cilët priren të shënojnë më së shumti në këto lloj zgjedhjesh.

Çekët votuan gjithashtu në raundin e parë të zgjedhjeve të dhomës së sipërme të parlamentit, ku kontestohet një e treta e 81 vendeve të Senatit. Tre vende u plotësuan tashmë në raundin e parë.

Në raundin e dytë që do të mbahet fundjavën e ardhshme, opozita ANO do të ketë 17 kandidatë, koalicioni qeverisës 19, ndërsa pjesa tjetër do të plotësohet nga partitë e tjera dhe të pavarurit. Pavarësisht rezultateve të raundit të dytë, koalicioni qeverisës do të ruajë shumicën në Senat.