Vendosni fjalën kyçe....

Patriarku Kirill: Ushtarët që vdesin në Ukrainë u lahen mëkatet


Patriarku Kirill, kreu i Kishës Ortodokse Ruse bëri një deklaratë të pazakontë në predikimin e tij të kësaj të diele. Ai tha se të gjitha mëkatet do të lahen për ushtarët që vdesin në Ukrainë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ata që vdesin duke përmbushur detyrën e tyre ushtarake, sakrifikojnë veten për të tjerët. Kjo sakrificë pastron të gjitha mëkatet e bëra” – tha patriarku në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

Ditët e fundit Kirill u kishte bërë thirrje besimtarëve që të angazhoheshin në luftë. “Shkoni me guxim për të kryer detyrën tuaj ushtarake. Dhe mbani mend se nëse vdisni për atdheun tuaj, do të jeni me Perëndinë në mbretërinë e tij”.

Ndërsa Presidenti rus Vladimir Putin i bëri thirrje komunitetit hebre rus që të japë një “kontribut të fortë” për identitetin multietnik të vendit. Deklaratën e bëri në një mesazh me rastin e Vitit të Ri hebre.

“Është shumë e rëndësishme që duke u qëndruar besnikë traditave shpirtërore, hebrenjtë e Rusisë të japin një kontribut të fuqishëm në diversitetin kulturor në vendin tonë.

Kjo për të forcuar harmoninë ndëretnike dhe parimet e respektit të ndërsjellë dhe tolerancës fetare”, – tha ai. Megjithatë dhjetëra mijëra hebrenj janë larguar nga Rusia që nga fillimi i luftës. Të tjerë pritet të ikin pas shpalljes së mobilizimit.

Në krahun tjetër zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk i tha BBC se Moska po mban peng civilë. “Civilët nuk janë liruar gjatë disa shkëmbimeve të të burgosurve. Civilët duhet të kthehen, jo të shkëmbehen.

Mes tyre ka shumë gra. Gratë duhet të lirohen, sepse rusët po sillen në mënyrë të tmerrshme. Ata abuzojnë, rrahin gratë tona, torturojnë gratë tona. Bota nuk duhet të shikojë në heshtje sesi gratë tona vriten në burgje” – tha ajo.