Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Itali, kush ka shpenzuar më shumë para për reklamat në Facebook


Ndërsa sot italianët u janë drejtuar qendrave të votimit, mësohen shpenzimet që partitë dhe kandidatët kanë patur në reklamat online, përveç posterave dhe billbordeve në rrugë.

Disa drejtues dhe kandidatë, mes të cilëve dhe Silvio Berlusconi, krijuan në mënyrë të veçantë llogari  në “Tik Tok” në prag të zgjedhjeve për të tërhequr votuesit më të rinj.

Por në Itali, audienca më e madhe në internet mund të gjendet në Facebook, me rreth 38 milionë përdorues, sipas Statista.

Euronews” para pak ditësh ka zbuluar përmes një artikulli se cilat parti dhe kandidatë kanë shpenzuar më shumë për reklamat në Facebook në 30 ditët e fundit, nga 22 gushti deri më 20 shtator.

Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia), të udhëhequr nga Giorgia Meloni dhe që aktualisht janë të parët në sondazhe – janë dhe shpenzuesit më të mëdhenj. Partia e djathtë ka shpenzuar 119 mijë e 311 euro për 73 reklama politike në faqen e saj zyrtare në Facebook, 43 mijë euro më shumë se çdo parti apo organizatë tjetër.

Pasi shpenzuan fillimisht më pak se rivalët e tyre politikë, ata kanë rritur shpenzimet e tyre në internet duke synuar votuesit në Italinë qendrore dhe jugore.

Meloni, në veçanti, është një nga drejtueset më të ndjekura të partive italiane në Facebook (me mbi 2.4 milionë) dhe 21 mijë e 411 euro të tjera janë shpenzuar në Facebook Ads në faqen e saj zyrtare.

Në total, Vëllezërit e Italisë kanë shpenzuar më shumë se 140 mijë € në reklamat në Facebook në 30 ditët e fundit, më shumë se organizatat humanitare si Save the Children, Emergency dhe Unicef Italy.

Rajonet ku të gjitha palët shpenzuan më shumë para në reklamat në Facebook ishin Lombardia (263,004 €), Siçilia (259,358 €) dhe Campania (231,581 €).

Lombardia është rajoni më i pasur dhe deri tani më i populluari i Italisë. Siçilia dhe Kampania, të njohura historikisht për votimin për partitë e krahut të djathtë, u fituan kryesisht nga Lëvizja Pesë Yjet (M5S) në zgjedhjet e fundit të Italisë në 2018.

Anëtarë të tjerë të koalicionit të qendrës së djathtë në Itali gjithashtu shpenzuan shumë për reklamat në Facebook.

Ndërsa faqja zyrtare e Ligës investoi vetëm 6 mijë €, faqja zyrtare e liderit të saj Matteo Salvini shpenzoi 62 mijë e 655 € vetëm për reklama. Salvini është politikani më i ndjekur në Itali në Facebook dhe shpenzon rregullisht para për reklama në internet. Severino Nappi, një këshilltar rajonal për partinë e Salvinit në Campania, ka shpenzuar gjithashtu 25 mijë e 987 € që nga 22 gushti.

Forza Italia shpenzoi pesë herë më shumë para për reklamat e liderit të tyre Silvio Berlusconi, sesa në faqen zyrtare të partisë.

Në total, koalicioni i qendrës së djathtë shpenzoi më shumë se 292,000 € në reklamat në Facebook në faqet zyrtare të partive të tyre ose liderëve të partive. Ndërkohë, Coraggio Italia shpenzoi 59 mijë e 305 € për reklama në 30 ditët e fundit.

Në total, koalicioni i qendrës së majtë investoi rreth gjysmën e parave të shpenzuara nga e djathta, në të njëjtën periudhë, më pak se 149 mijë €.

Partia “Më shumë Evropë” (+E) ishte shpenzuesi më i madh i koalicionit të qendrës së majtë me 57 mijë e 234 euro, ndërsa Partia Demokratike investoi gjithsej vetëm 46 mijë e 540 euro dhe asnjë euro në faqen e liderit të tyre në Facebook, Enrico Letta. Mes drejtuesve të partive kryesore në Itali, Letta ka numrin më të vogël të ndjekësve në Facebook.

Megjithatë, një faqe jozyrtare në Facebook për mbështetësit e PD-së shpenzoi 27 mijë e 603 euro të tjera për 8 reklama në Facebook në 30 ditët e fundit, ndërsa një kandidat i PD-së, Antonio Misiani, shpenzoi 13 mijë e 6 euro të tjera për reklamat në Facebook.

Lëvizja Qytetare e qendrës së djathtë (IC) e Luigi di Maio dhe partia M5S populiste e Giuseppe Conte shpenzuan shumë më tepër para për reklamat në faqet e liderit të tyre në Facebook.

Në fakt, faqja zyrtare e Lëvizjes Pesë Yjet nuk ka investuar fare në reklama në 90 ditët e fundit. Ndërkohë, lideri i Italexit – Gianluigi Paragone – partia e të cilit nuk ka një faqe zyrtare në Facebook, ka shpenzuar 7 mijë e 364 euro për reklama në 30 ditët e fundit.