Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka kërkuar nga Serbia të zbulojë se çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar me Rusinë pak ditë më parë në Nju Jork.
Të hënën ambasadori tha se Shtetet e Bashkuara duan “sqarim” nga Serbia se çfarë ka nënshkruar me Rusinë.
“Duam të dëgjojmë se çfarë dëshiron të bëjë Serbia në të ardhmen dhe të shohim se çfarë marrëdhëniesh do të zhvillojë me një vend që sulmoi brutalisht fqinjin e tij dhe madje shfrytëzon kërcënimet për të përdorur forcën bërthamore. Ne duam të kuptojmë se në çfarë mbështetet bashkëpunimi midis Serbisë dhe Rusisë.”– tha ambasadori Hill, sipas VOA.
Ai theksoi se në këtë periudhë “askush nuk do të duhej të nënshkruante asgjë me Rusinë” dhe “pak veta e bëjnë një gjë të tillë, përveç atyre rekrutëve të mjerë që mobilizohen për t’u dërguar në luftë”.
Ky reagim i ambasadorit vjen pasi të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov në një takim në Nju Jork, ku ishin mbledhur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Shumica e delegacioneve perëndimore e shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë, por jo delegacioni serb.