Vendosni fjalën kyçe....

Çavusoglu: Turqia po punon për organizimin e takimit Zelensky-Putin


Turqia vazhdon të bëjë përpjekje për të zhvilluar një takim mes presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë, me shpresën se ata kështu mund të marrin një vendim për “paqe“.

Kështu ka thënë ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu gjatë një vizite në Tokio, ku ka shkuar për funeralin e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.

“Duhet të ketë një paqe të drejtë, sigurisht, veçanërisht për Ukrainën. Sepse tokat e pushtuara (nga Rusia) i përkasin Ukrainës. Sigurisht, duhet të binden edhe aktorët që duan që lufta të vazhdojë jashtë këtyre dy vendeve. Si Turqi, nuk e kemi humbur shpresën. Ne po shtojmë dhe vazhdojmë përpjekjet tona. Qëllimi ynë është takimi i liderëve dhe vendimmarrja në nivel liderësh.”– tha Çavusoglu sipas TRT Haber.

Ai po ashtu tha se në luftë nuk ka fitues dhe sapo të dy palët ta kuptojnë këtë, mund të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Mykhailo Podolyak, një këshilltar i Presidentit, ukrainas tha më herët se aktualisht nuk ka kuptim në mbajtjen e negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë ose një takim midis Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin. Sipas tij, takimi i presidentëve është i mundur vetëm nëse paraprihet nga tërheqja e plotë e trupave ruse, dhe temë e bisedës do të jetë “diskutimi i jetës së pasluftës”.