Vendosni fjalën kyçe....

“Më mirë mos të kisha fituar fare”- Fituesi i jackpot-it në Indi lodhet nga kërkesat për ndihmë


Një fitues i lotarisë indiane nuk është më i lumtur për marrjen e xhekpotit, pas kërkesave të shumta për ndihmë që ka marrë.

Siç shkruan BBC, Anoop i cili është një shofer automjetesh nga shteti jugor Kerala, kishte fituar 250 milionë rupi (apo 3.06 milionë dollarë) në një llotari të qeverisë në shtator.

Por një javë më vonë, ai postoi një video duke u kërkuar të panjohurve që të mos e shqetësonin më atë dhe familjen e tij.

“Do të doja të mos kisha fituar.”- thotë ai. “Çmimi i tretë mund të kishte qenë më i mirë”.

Anoop thotë në video se po mendon të ndërrojë shtëpi për t’i shpëtuar vëmendjes së publikut. Fytyra e tij ishte kudo nëpër gazeta kur fitoi çmimin, më i larti i ofruar ndonjëherë në shtet për një llotari.

Ai tregon se e bleu biletën më 17 shtator, një ditë para se të duhej të fluturonte për në Malajzi për një punë, pasi hapi derrkucin e kursimeve të djalit të tij.

Por kur u publikua lajmi për fitoren e tij, familja e tij mori një vëmendje të madhe mediatike.

“Isha shumë i lumtur kur fitova.”– thotë ai në videon e tij të fundit. “Kishte njerëz dhe kamera në shtëpi dhe ne ishim të lumtur”.

Por situata shpejt doli jashtë kontrollit.

“Unë nuk mund të dal nga shtëpia, nuk mund të shkoj askund. Fëmija im është i sëmurë dhe nuk mund ta çoj te mjeku.”– tregon Anoop, i cili do të marrë 150 milion rupi pas taksave të qeverisë.

Ai thotë se njerëz të shumtë fillojnë të mbërrijnë në shtëpinë e tij çdo mëngjes.

“Gjithçka që mund t’u them të gjithëve është se nuk kam marrë ende para. Askush nuk e kupton problemin tim, pavarësisht sa herë e them.”– thotë ai.

Anoop thotë se bashkë me familjen janë detyruar të qëndrojnë me të afërmit për t’i shpëtuar vëmendjes.

Qeveria ka thënë se do të organizojë një program trajnimi njëditor për Anoop mbi menaxhimin financiar për ta ndihmuar atë të përdorë mirë paratë.