Pushtimi rus i Ukrainës do t’i kushtojë ekonomisë globale 2.8 trilion dollarë deri në fund të vitit të ardhshëm, dhe akoma më shumë nëse një dimër i ashpër çon në racionimin e energjisë në Evropë. Kështu tha të hënën Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Vlerësimi i organizatës me bazë në Paris nxjerr në pah madhësinë e pasojave ekonomike nga pushtimi i Moskës ndaj fqinjit të saj i nisur shtatë muaj më parë, konflikti më i keq ushtarak në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sulmi i Rusisë ka shkaktuar një rritje të çmimeve të energjisë që ka dobësuar shpenzimet e familjeve dhe ka dëmtuar besimin e biznesit, veçanërisht në Evropë. Konflikti ka zhvendosur zinxhirët e furnizimit, ka shkaktuar mungesa të ushqimit dhe sendeve të tjera thelbësore dhe ka tronditur tregjet në të gjithë globin.
Qeveritë perëndimore kanë frikë se urdhri i Rusisë për një mobilizim të pjesshëm dhe përgatitjet e saj për të aneksuar pjesë të Ukrainës mund të zgjasin konfliktin për shumë muaj, ndoshta vite, duke nxitur më tej pasigurinë që tani rëndon mbi ekonominë globale.
“Ne po paguajmë një çmim shumë të rëndë për luftën.”– tha Álvaro Santos Pereira, kryeekonomist në detyrë i OECD-së sipas Wall Streeet Journal.
Në parashikimet e saj të fundit, OECD tha se ekonomia globale do të rritet me 3% këtë vit dhe 2.2% vitin e ardhshëm. Para luftës, ajo kishte pritur rritje prej 4.5% në 2022 dhe 3.2% në 2023.
Dallimi midis këtyre dy vlerësimeve do të thotë se lufta dhe pasojat e saj do t’i kenë kushtuar botës ekuivalentin e prodhimit ekonomik të gjeneruar nga e gjithë ekonomia franceze gjatë këtyre dy viteve.
OECD pret që ekonomia e eurozonës të rritet me vetëm 0.3% në 2023, me ekonominë e Gjermanisë që parashikohet të tkurret me 0.7%. Kur publikoi parashikimet e fundit në qershor, grupi priste të shihte rritje prej 1.6% në eurozonë dhe 1.7% në Gjermani.
OECD paralajmëroi se ekonomia e Evropës mund të pësojë një rënie edhe më të mprehtë nëse çmimet e energjisë do të rriteshin përsëri. Nëse çmimet e gazit natyror rriten me 50% gjatë pjesës së mbetur të vitit, prodhimi ekonomik evropian mund të jetë 1.3% më i ulët në vitin 2023, ndërsa ekonomia globale do të rritet me vetëm 1.7%.
“Evropa do të ishte në recesion.”- tha Pereira.
Një rritje e tillë e çmimeve mund të lindë nëse Evropa përballet me mungesë energjie gjatë dimrit të ardhshëm, të nxitur nga temperaturat veçanërisht të ulëta. Për të reduktuar këtë rrezik, OECD vlerëson se konsumi i energjisë do të duhet të bjerë midis 10% dhe 15% krahasuar me vitet e fundit.
“Është e rëndësishme jo vetëm të përqendrohemi te furnizimet, është e rëndësishme të sigurohemi që të ketë një ulje të kërkesës gjatë muajve të ardhshëm.”- tha Pereira.
Qeveritë në mbarë Evropën kanë shpenzuar miliarda euro për të ndihmuar familjet dhe bizneset të përballojnë rritjen e kostove të energjisë. Një pjesë e kësaj ndihme ka ardhur në formën e kufizimeve në çmimet e energjisë. Por këto kufizime dobësojnë nxitjen për familjet për të ulur konsumin.
“Kufijtë e çmimeve mund të jenë tërheqëse në afat të shkurtër, por ato janë të shtrenjta dhe shtrembërojnë sinjalet e çmimeve.”– tha Pereira. “Nëse doni të kurseni energji, çmimet më të larta do të thotë më pak konsum.”
Kostoja e mbështetjes së familjeve dhe bizneseve po i çon borxhet e qeverisë më të larta dhe kjo ka çuar në një rritje të kostove të huamarrjes që mund të dobësojë më tej rritjen. Për të shmangur rritje të mëtejshme të mëdha të borxhit, OECD tha se ndihma duhet t’u drejtohet familjeve më të cenueshme.
Organizata vlerëson se 35 qeveritë që ndjek, janë zotuar të shpenzojnë afërsisht 150 miliardë dollarë për masat e tyre për të mbajtur çmimet poshtë deri në dhjetor të këtij viti, krahasuar me rreth 15 miliardë dollarë për masat më të targetuara të çmimeve.
OECD uli parashikimin e saj për rritjen ekonomike të SHBA-ve në 2023 në 0.5% nga 1.2% më parë, por tha se një ngadalësim më i madh është i mundur nëse inflacioni nuk bie aq shpejt sa shpreson Rezerva Federale.
Organizata pret që ekonomia e Kinës të rimëkëmbet në mënyrë modeste në vitin 2023 nga rritja e ngadaltë në vitin 2022 që pasqyron bllokimet për të frenuar pandeminë e Covid-19. Në qershor, OECD parashikoi rritje prej 4.4% në 2022, por tani pret të shohë një zgjerim prej vetëm 3.2%. Për vitin 2023, parashikon rritje prej 4.7%.
“Parashikimi për këtë vit është për rritjen më të ulët që nga vitet 1970, me përjashtim të pandemisë.”- tha Pereira. “Vitin e ardhshëm, ne presim rritje që është ende dukshëm më e ulët se sa është regjistruar në Kinë për një kohë të gjatë.”
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Wall Street Journal / Përshtati në shqip Hashtag.al