Kryetari i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi pas mbledhjes së këtij Këshilli se kanë diskutuar për aksionin opozitar dhe qëndrimet që duhet të mbajë Partia Demokratike.
Edi Paloka deklaroi se kanë rënë dakord që sa më shpejt të organizohen protesta ndërsa bëri me dije se aksioni opozitar do të jetë i shumëllojshëm teksa përmendi edhe grevat.
Sa i përket një date konkrete për nisjen e protestave, Paloka u shpreh se fillimisht duhet të organizohen disa aktivitete dhe të ketë rezultat nga aksioni që do ndërmarrin.
“Pati diskutime lidhur me qëndrimet që duhet të mbajë PD apo atë që ju thashë, aksioni opozitar i PD. Dhe u ra në dakordësi drejt konkluzionit që sa më shpejt duhet të organizohet jo vetëm protesta, por një shumëllojshmëri aktesh dhe aksionesh opozitare përfshirë këtu grevat e grupimeve më të mëdha sociale në Shqipëri të cilët sigurisht do të kontaktohen prej nesh.
Duke filluar nga sindikatat që funksionojnë në Shqipëri me gjithë grupime të tjera që janë mësuesit, mjekët, infermierët, pra gjithë grupimet e mëdha, të cilat kanë probleme dhe janë në syrin e ciklopit të kësaj qeverisje.
Me qëllim që i gjithë aksioni opozitar të këtë një shumëllojshmëri veprimesh dhe një mori aktivitetesh të tjera qe nisin me takimet kokë më kokë me qytetarët duke vazhduar pastaj me këto aktivitete që ju thashë.”-tha Paloka.
I pyetur mbi datwn e mundshme tw njw proteste, Paloka tha se duhet tw organizohen njw swrw aktivitetesh pwr tw konkluduar mw pas nw protesta.
“Data e protestës është një çështje burokratike sepse fillimisht duhet që gjithë kjo mori aktivitetesh të organizohen dhe të kemi pastaj rezultat nga gjithë ky aksion opozitar.
Të shtunën do të diskutohet hyrja e diskutimit për rregulloren e primareve, sigurisht do të ketë çështjë të tjera jashtë rendit të ditës që do duan të diskutohet anëtarët e Këshillit Kombëtar”-tha Paloka.