Gjykata e Tiranës ka liruar mjekun e arrestuar pak ditë më parë në Spitalin e Traumës, pas akuzave për marrjen e rryshfetit ndaj pacientëve.
Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për mjekun Fitim Marku, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore që ai ka shfaqur ditën e sotme, ku u raportua se kishte pësuar ishemi cerebrale.
Për shkak të kësaj, mjeku ishte i lidhur me aparatura dhe në pamundësi për të dhënë shpjegime para gjykatës.
Mjeku u arrestua më 23 Shtator të këtij viti, në kuadër të operacionit policor të koduar “Skaneri” në ambientet e Spitalit të Traumës, po ashtu u shoqërua mjekja me iniciale S.B. dhe infermierja me iniciale K.B.
Prokuroria njoftoi se arrestimi dhe shoqërimi i personelit mjekësor u bë pasi nga hetimet, rezultonte se këta persona merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndryshëm për kryerjen e skanerave pranë Spitalit të Traumës në Tiranë. Madje një agjent i infiltruar, i ishte prezantuar si pacient duke i ofruar rryshfet në shifrën e 20 mijë lekëve.