Një person i armatosur ka hapur zjarr në një shkollë në Rusinë qendrore, duke vrarë të paktën 13 persona dhe duke plagosur 21 të tjerë.
Personi i armatosur thuhet se vrau veten në vendngjarje. Ai ishte një ish-nxënës i shkollës me rreth 1000 nxënës në qytetin e Izhevsk.
Mediat ruse kanë postuar video të cilat duket se tregojnë panik brenda ndërtesës ku ndodhën të shtënat. Disa pamje tregojnë gjak në dyshemenë e një klase dhe një vrimë plumbi në një dritare, me fëmijë të ulur poshtë tavolinave.
Siç shkruan BBC, shtatë fëmijë dhe gjashtë të rritur u vranë, duke përfshirë dy roje sigurie dhe dy mësues. Stafi dhe nxënësit janë evakuuar nga ndërtesat e shkollës.
Një deputet tha se sulmuesi, i identifikuar si Artem Kazantsev, kishte qenë i armatosur me dy pistoleta.
Një video e postuar në internet nga komiteti hetimor tregon personin e armatosur të shtrirë të vdekur në dysheme, i veshur me një bluzë me simbolin nazist dhe një kapuç. Hetuesit po kontrollojnë vendbanimin e tij.
Kreu i qarkut ka shpallur periudhë zie deri më 29 shtator. Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin tha se ai është “thellësisht në zi” për sulmin.