Biznesmeni Sinan Idrizi në një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV foli për blerjen e godinës së “Mehmet Akif”, shkollës turke e cila u mbyll pak ditë më parë nga qeveria si dhe iu përgjigj kërcënimeve të Sali Berishës.
Idrizi tha se ka investuar dhe do të vijojë të investojë në arsim dhe mohoi kategorikisht që miqësia e tij me Presidentin Erdogan, të ketë lidhje me faktin se ai po ble shkolla.
Më tej, Idrizi tha se Sali Berisha duhet të ndalë kërcënimet ndaj tij si një përgjigje ndaj akuzave të bëra nga ish-kryeministri se po dëmton interesat e kombëtare.
Sinan Idrizi në rrethet e biznesit etiketohet dhe si “Sinani i Stambollit”, për shkak të njohjeve qe ai ka në administratën turke, lidhjes sidomos me Ibrahim Kalin.
Disa te dhëna sugjerojnë se ai prej disa muajsh nuk shkel dot në Turqi pasi një oligark i fuqishëm turk, Adnan Polat, e dyshon për vjedhjen e disa milionë eurove nëpërmjet një skeme mashtrimi.
Pjesë nga intervista:
Ylli Rakipi: Keni blerë godinën e Mehmet Akif. Përse ju duhet kjo godinë?
Sinan Idrizi: Kam blerë godinën në Korçë të Medresesë. Kam blerë në Shkodër, në Berat, etj, informohuni. Jam duke blerë një zinxhir shkollash. Dua të investoj në arsim. Është viti i tetë që unë sponsorizoj studentët ekselentë. Nuk erdha si rrufe në qiell të hapur.
Ylli Rakipi: Si ju lindi kjo ide për të bërë shkolla? Sepse ju keni bërë biznese të tjera. Ka zëra se shkollat tuaja po bëhen për të zëvendësuar shkollat e Gylenit dhe shkollat tuaja janë pro mikut tuaj Erdogan?
Sinan Idrizi: Brenda kësaj ka disa tema të ndryshme. Unë dua të investoj në këtë sistem arsimor. Kam tetë vite që investoj dhe kam hyrë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe kemi bërë aktet shitblerje. Ku është problemi këtu? Teoritë e komplotit nuk janë problemet e mia.
Ylli Rakipi: Thuhet se ju si mik i Erdogan po blini një rrjet shkollash?
Sinan Idrizi: Miqësia ime me Erdogan nuk ka lidhje me shkollat. Përse i miksojnë këto me bindjet e mia politike? Unë kam bërë marrëdhënie korrekte biznesi me poseduesit e shkollave. Unë nuk i kam vjedhur njeriu shkollën.
Ylli Rakipi: Berisha ju ka akuzuar konkretisht. Si i përgjigjeni?
Sinan Idrizi: S’kam çfarë t’i them unë fare. Nuk ka burrë nëne të më kërcënojë mua për investimin tim. Ka gjetur njeriun e gabuar për të kërcënuar. Ta ankorojë anijen në port tjetër