Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti: Ka katër arsye pse konflikti në Ballkan është i imagjinueshëm


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka ngritur përsëri shqetësimin e rrezikut të luftës në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për revistën zvicerane “Die Republik”, Kurti ka dhënë arsyet që e bëjnë atë të besojë se rajoni i Ballkanit Perëndimor është i rrezikuar nga një luftë.

“Nuk kemi frikë, por jemi vigjilentë. Ne mbetemi të shqetësuar. Sipas meje, ka katër arsye që e bëjnë një konflikt të imagjinueshëm. Së pari, Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ajo lufton kundër njohjes sonë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë financojnë strukturat ilegale brenda Kosovës për të minuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin tonë. Së dyti: Në Serbi nuk mund të pajtohen me krimet e luftës të kryera në vitet 1990. Nuk ka keqardhje.

Arsyeja e tretë që më shqetëson: Kosova është demokraci, Serbia jo. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik. Së katërti, Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidentin despotik rus Putin. Vuçiq e ka takuar Putinin gati 20 herë në 10 vjet, më e fundit më 25 nëntor 2021 në Soçi, tre muaj para fillimit të luftës.”– thotë Kurti.

Ai ka vijuar duke cituar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që ka thënë pas takimit me Putinin se “ka folur për standarde të dyfishta dhe hipokrizinë ndërkombëtare”.