Në një deklaratë nga Gjiri i Lalzit, kryeministri Edi Rama ka thumbuar sërish kryebashkiakun e Vlorës Dritan Leli, por edhe ish-kryetarin e PD-së Lulzim Basha.
Duke folur për sezonin veror, Rama u shpreh se sot me përjashtim të bashkisë së Vlorës, kemi pasur sezonin më të pastër ndonjëherë.
Më pas ai thumboi edhe ish-kryedemokratin Lulzim Basha për gjendjen ku ndodhej kryeqyteti gjatë 4 viteve të drejtimit të tij, duke thënë se tashmë Tirana është e pastër.
“Kemi pasur këtë vit falë punës këmbëngulëse, për të cilën kishim filluar punën një vit më parë, siç kemi filluar punën për vitin e ardhshëm nën drejtimin e ministres së mjedisit dhe shembullit inkurajues të një bashkie, më konkretisht bashkisë së Lezhës, sa i përket pastërtisë.
Sot me përjashtimin spektakolar të Bashkisë së Vlorës mund të themi se kemi pasur një sezon jo më të pastër se ndonjëherë, se në krahasim me pisllëkun që kemi qenë, është një sezon realisht i pastër.
Duke filluar nga Tirana, të gjitha përshtypjet e të anketuarave për mendimin mbi Tiranën fillojnë me pastërtinë. Një kryeqytet që ishte simbol i pisllëkut, në ato katër vite që ra në gjumë së bashku me atë që gërhiste, tashmë është fakt që është i pastër.”– deklaroi Rama.