Në një bisedë me liderin turk Rexhep Tajip Erdogan, presidenti rus Vladimir Putin i tha atij se Rusia mbetet e gatshme për negociata me Ukrainën.
Kështu tha për mediat të martën zëdhënësi presidencial rus, Dmitry Peskov.
“Presidenti tha se, natyrisht, Rusia mbetet e gatshme për të negociuar, por me ndryshimin e situatës, ndryshojnë edhe kushtet.”- tha Peskov sipas TASS.
Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se në lidhje me negociatat, parimet mbetën të pandryshuara. Putin i kërkoi Erdoganit të kujtonte se ishte pala ukrainase ajo që kishte braktisur rrugën e negociatave.
“Në përgjithësi, parimi mbetet i njëjtë, ashtu si të gjitha qëllimet e operacionit special ushtarak. Gjithashtu në bisedime u tha se pala ukrainase ishte larguar plotësisht nga rruga e negociatave. Për këtë arsye operacioni special ushtarak vazhdon.”– tha Peskov.