Vendosni fjalën kyçe....

Kuba voton legalizimin e martesave brenda së njëjtës gjini


Kuba ka votuar në një referendum kombëtar për të legalizuar martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.

Rreth dy të tretat e popullsisë kanë votuar për të miratuar reformat në Kodin e ri të Familjes, i cili parasheh edhe të drejtën që çiftet e gjinisë së njëjtë të adoptojnë fëmijë.

Ky referendum shënon moment të rëndësishëm në Kubë, pasi homoseksualët në këtë shtet janë persekutuar dhe janë dërguar nëpër kampe të punës në vitet 1960 dhe 1970.

Megjithatë, këto reforma janë kritikuar ashpër nga grupet fetare dhe konservatorët.

Referendumi i së dielës është mbajtur pasi Qeveria e ka miratuar Kodin e ri të Familjes, pas shumë orëve të debatit ditë më parë.

Duke folur gjatë votimit, presidenti i shtetit, Miguel Díaz-Canel, ka thënë se pret që shumica e popullsisë së votojë në të mirë të ndryshimeve dhe që kodi i ri të reflektojë në diversitet të njerëzve, familjeve dhe besimeve.

Ky ishull i udhëhequr nga komunistët, ka ndryshuar në dekadat e fundit, falë përpjekjeve të Mariela Castros, vajzës së ish-liderit të shtetit, Raul Castro.