Policia ka njoftuar planin e masave për mbarëvajtjen e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Islandës, që do zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.
Kjo ndeshje është e vlefshme për Nations League.
Për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, Policia bën me dije se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore nga ora 18:00 deri në përfundim të ndeshjes.
Forcat e rendit do të garantojnë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
PLANI I MASAVE
Policia e Tiranës, plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis Shqipërisë dhe Islandës, që do zhvillohet më datë 27.09.2022, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Tiranës përfshijnë jo vetëm ambientet e stadiumit, por edhe perimetrin jashtë tij.
Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore gjatë momentit të kalimit të tifozëve, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, konkretisht:
– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Policia do të garantojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium persona të papajisur me dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo të kujdestarit.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium tifozët që në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si problematikë.
Policia ju bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo do të kryejnë veprime antisportive.
Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për tifozëritë e të dyja skuadrave që të zbatojnë rregullat dhe ligjin.