Vendosni fjalën kyçe....

Rama mbledh sot Kryesinë e PS-së, diskutohet zgjedhja e kandidatëve për kryetar bashkie


Partia Socialiste do të mbledhë këtë të martë në orën 18:00 kryesinë e saj. Në këtë mbledhje pritet të diskutohet për zgjedhjet lokale që mbahen vitin e ardhshëm, përgatitjet dhe përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie.

Ende nuk ka një datë zyrtare të caktuar për zgjedhjet lokale, por pritet të jetë mes 15 prillit e 15 majit të vitit 2023. Do të jetë Presidenti i Republikës ai që do të përcaktojë datën e saktë, pas konsultave me krerët e grupeve parlamentare.

Fillimisht në mbledhjen e sotme do të diskutohet procesi i zgjedhjes së kandidatëve për bashkitë e vendit. Deri më tani dimë dy emra, njërin që do jetë kandidat dhe tjetrin që e ka të sigurt që s’do jetë: Erion Veliaj dhe Dritan Leli.

Deri më tani kryeministri Edi Rama ka deklaruar vetëm kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj që ka të drejtë për rikandidim. Ndërkohë për Dritan Lelin jo më larg se sot në një takim ka shprehur rezerva ndaj tij.