Vendet evropiane po hetojnë tre rrjedhje misterioze në dy tubacionet kryesore të gazit midis Rusisë dhe Evropës.
Shkaku i dëmtimit të Nord Stream 1 dhe 2 është i paqartë, por autoritetet nuk e kanë përjashtuar mundësinë e sabotimit, siç shkruan BBC.
Operatori i Nord Stream 1 tha se linjat nënujore kishin pësuar njëkohësisht dëme “të paprecedentë” brenda një dite.
Të dy tubacionet kanë qenë pika debati për çështjen e energjisë midis Moskës dhe Evropës. Cilido qoftë shkaku i dëmit, ai nuk do të ndikojë menjëherë në furnizimin me gaz në Evropë, pasi asnjë prej tubacioneve nuk ishte funksional.
Bashkimi Evropian ka akuzuar më parë Rusinë se reduktimin e furnizimeve me gaz po e përdor për të shantazhuar Evropën, por Moska e mohon këtë. Moska thotë se sanksionet kundër Rusisë e bëjnë të pamundur mirëmbajtjen e duhur të infrastrukturës së gazit.
Raportet e pakonfirmuara në mediat gjermane thanë se autoritetet nuk po përjashtojnë një sulm në rrjetin e gazit nënujor.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se ishte shumë herët për të arritur në përfundime, por se ishte e vështirë të imagjinohej se rrjedhjet e shumta mund të ishin një rastësi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ai ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar” për incidentin dhe mundësia e një sulmi të qëllimshëm nuk mund të përjashtohej.
Tubacioni Nord Stream 1 – i cili përbëhet nga dy degë paralele – nuk ka transportuar fare gaz që nga gushti kur Rusia e mbylli atë për mirëmbajtje.
Tubacioni shtrihet 1200 km nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore. Tubacioni i tij binjak në pronësi ruse, Nord Stream 2, u ndërpre pasi filloi pushtimi rus në Ukrainë.
Edhe pse asnjë tubacion nuk është në funksionim, të dy ende përmbajnë gaz. Autoritetet gjermane, daneze dhe suedeze po hetojnë të gjitha incidentet.
Operatorët e Nord Stream 2 paralajmëruan për një humbje të presionit në gazsjellës të hënën pasdite. Kjo çoi në një paralajmërim nga autoritetet daneze se anijet duhet të shmangin zonën.
Disa orë më vonë, Autoriteti Detar Suedez lëshoi gjithashtu një paralajmërim për dy rrjedhje në Nord Stream 1.