Në një konferencë për mediet, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me PD-në dhe faktorë të tjerë opozitarë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Madje theksoi se opozitës në këtë kohë nuk i lejohet të mos bashkëpunojë.
Ai theksoi se objektivi i PL-së është fitorja e opozitës duke theksuar se janë të hapur për të bashkëpunuar me PD për të mbështetur kandidatët më të mirë.
“Ne kemi nisur përgatitjet për këto zgjedhje dhe shumë shpejt do të mbledhim edhe komitetin organizator të Partisë së Lirisë. Kemi ambicie shumë të forta për zgjedhjet që po afrojnë. Këto zgjedhje do të rivendosin edhe demokracinë vendore dhe llogaridhënien. Këto katër vite të një keqqeverisje totale kanë qenë të mjaftueshme për ti dhënë asaj ndëshkimin e merituar.
Kuptohet, objektivi ynë kryesor është fitorja e opozitës dhe ky do të jetë investimi më i madh i PL-së, pavarësisht se çdo forcë politike ka ambiciet e saj.
Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me PD-në dhe me gjithë faktorët e tjerë opozitarë që të mbështeten kandidatët më të mirë, jo vetëm me mundësi më të mëdha për të fituar por edhe për t’i qëndruar besnik llogaridhënies.”– tha Meta.
Më pas,pas këmbënguljes së gazetarëve për t’u përgjigjur me Po ose Jo, Meta ka paralajmëruar se do të dalin me kandidatë të përbashkët me PD në zgjedhjet vendore të vitit 2023.
“Në mënyrë të padiskutueshme. Për ne interesi kryesor është fitorja e opozitës në zgjedhjet vendore, rivendosja e demokracisë vendore që është zeruar nga Rilindja, 100% të pushteteve Rilindja, në katër vite u kthyen në një bunker të vërtetë në raport me qytetarët. Zero transparencë dhe vetëm pasoja.
Shikoni pagat që janë për bashkinë. Për bashki kanë mbaruar mastera dhe kanë rrogat nga 200 e ca mije leke, se ata të ERE i kanë nga 4-5 milionë.
Se shtojnë vetëm vende pune për t’i mbajtur peng njerezit. I kanë kthyer bashkite në vende punësimi, por punësim për ti mbajtur njerëzit varur se ajo është lëmoshë jo pagë, kjo skemë është në gjithë Shqipërinë.
Bilanc katastrofik. Ka shumë më tepër të punësuar në pushtetin vendor nga Rilindja sot se sa ka pasur në 400 e ca bashki dhe Komuna. Se është vetëm psikologjia e klientelizimit dhe marrjes peng me rroga absurde për efekte elektorale. Sa i takon asaj me po, PO, opozita duhet të dalë në gjithë Shqipërinë me kandidat të përbashkët. Kjo është më e mira për situatën se jemi në kushtet e një shteti mafioz opozita duhet të paraqitet sa më e bashkuar.
Në kushte të tjera sa më shumë kandidatë do ishte më mirë, por nuk jemi në kushte demokratike, jemi në kushte që opozitës as nuk i lejohet të vonohet, as të mos bashkohet as të mos koordinohet. Partia e Lirisë është e interesuar vetëm për fitoren e opozitës, edhe për rezultatin e saj, por këshillat bashkiakë do kthehen në parlamente të fuqishme vendore shumë shpejt.”- tha Meta.