Kryeministri Edi Rama u pyet nga një gazetar lidhur me një raportim që ka qarkulluar në medie ditët e fundit se bashkia e Sarandës ka shpërblyer me mbi 23 milionë lekë të vjetra grupin polifonik, që i këndoi atij në inaugurimin e tunelit të Kardhiq-Delvinë.
“Zoti kryeministër, ju flisni për një paketë të ndihmës sociale, ndërkohë një grup polifonik është paguar dhe shpërblyer nga Bashkia e Sarandës me 23 322 000 lekë të vjetra vetëm sepse ju këndoi ju në tunelin e Kardhiq-Delvinë. A mund të kursehen këto para dhe të çohen për familjet në nevojë? Faleminderit.”- ishte pyetja që iu drejtua kryeministrit nga gazetari.
Rama u përgjigj se nuk kishte dijeni për këtë dhe mesiguri ishte thjesht një “përrallë”, megjithatë iu drejtua gazetarit se nëse nuk i pëlqen se si shpenzohen paratë e bashkisë, është i lirë të kandidojë, fitojë dhe t’i shpenzojë vetë si të dojë.
“E para e punës njëherë është hera e parë që e dëgjoj këtë. E dyta e punës kjo është një tjetër përrallë dhe kjo është pak po e sigurt. Dakord?!
Dhe e treta, me këtë rast unë them është mirë ta studioni pak më shumë polifoninë dhe të studioni pak më shumë rrugët e polifonisë për të kuptuar që edhe kur bëhet fjalë për referime të caktuara tek persona të caktuar, kjo nuk ka të bëjë me të kënduarit për mua apo për të kënduarit për dikë tjetër por ka të bëjë me natyrën që ka ai folklor.
Përsa i përket se çfarë ka paguar bashkia e Sarandës, për çfarë i ka paguar etj, etj, unë nuk kam asnjë dijeni, nuk jam unë që jap visto se si i shpenzon një bashki ato të ardhurat e veta që ka për të shpenzuar dhe mbi të gjitha, juve në rast se doni që të ardhurat e bashkisë së Sarandës të shpenzohen ndryshe, kandidoni, fitoni dhe shpenzojini si të doni.
Nuk mund të funksionojë kështu, merr mikrofonin dhe krijo një përrallë këtu dhe unë duhet të përgjigjem. Megjithatë unë t’u përgjigja, nuk kam dijeni për këtë dhe unë jam i bindur që kjo është një përrallë e treguar siç tregohen përrallat, ose për të manipuluar njerëzit në funksion të një axhende politike ose për të krijuar lajm.”- tha Rama.