Deputetët e PD-së Alibeaj e Bardhi ndodhen në një vizitë zyrtare në Gjermani ku janë takuar me deputetin e CDU/CSU-së, Gunther Krichbaum.
Alibeaj shkruan se gjatë takimit është diskutuar mbi rrugën që duhet të ndjekë politika shqiptare për përmbushjen e parakushteve për integrimin në BE si dhe sfidat në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Po kështu ai thekson se e ka siguruar deputetin gjerman për qëndrimin e palëkundur e vendimet e marra pa kthim pas të PD-së në rrugën drejt së ardhmes.
“Një takim miqësor dhe i hapur me z. Krichbaum. Bashkëbiseduam mbi çështje të rëndësishme të procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë, përmbushja e parakushteve dhe rrugën që duhet të ndjekë politika shqiptare në këtë proces, si dhe sfidat që prekin sistemin e drejtësisë ndër vite, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si garantues të demokracisë funksionale. Reformat e ndërmarra nga PD në shërbim të qytetarëve, reforma Administrativo-Territoriale dhe reforma Zgjedhore janë hapa konkretë qe duhet dhe do të sjellin produkte të prekshme për shqiptarët. E siguruam z. Krichbaum për qëndrimin e palëkundur dhe vendimet e marra pa kthim pas të PD në rrugën e saj drejt të ardhmes, me fokus në shërbim të qytetarëve dhe demokracisë.” – shkruan Alibeaj.
Ndërsa Bardhi shkruan: “Së bashku me kryetarin e GPPD Enkelejd Alibeaj në një diskutim miqësor në Berlin me GuntherKrichbaun mbi përmbushjen e reformave integruese të vendit, luftën ndaj korrupsionit dhe nevojën për të forcuar Partinë Demokratike si alternativë qeverisëse. Partneriteti i Partisë Demokratike me BE dhe veçanërisht Grupin Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag është e vetmja rrugë e sigurt drejt të ardhmes europiane të vendit. Faleminderit për mikpritjen dhe ndihmën e vazhdueshme për Shqipërinë.”