Vendosni fjalën kyçe....

Berisha fton sindikatat: Po bien sirenat e revoltës, vetëm me ju organizohen protesta të fuqishme


Në takimin e sotëm me sindikatat, kryetari i PD-së Sali Berisha u ka bërë thirrje sindikalistëve që t’i bashkohen në organizimin e protestave.

Sepse sipas tij, vetëm me ta mund të organizohen protesta të fuqishme. Berisha madje theksoi se “forma më e fuqishme e protestës” siç ka provuar historia e Shqipërisë është ajo që strukturohet me sindikata.

“Pra në të katër anët sot bien sirenat e revoltës, urrejtjes ndaj kësaj qeverie. U them një gjë, qoftë zyrtarisht dhe privatisht, në çdo takim dhe bisedë gjej vetëm një kërkesë, protestë dhe vetëm protestë. E gjej nga të rinjtë, të moshuarit, biznesmenët e vegjël, edhe tek ata të mesëm dhe të mëdhenj, që janë të ndershëm.

Ky takim është mjaft i rëndësishëm, sepse forma më e fuqishme e protestës siç ka provuar historia e Shqipërisë dhe jo vetëm e saj, është ajo që strukturohet me sindikata. Ju garantoj se do të kenë mbështetjen totale të PD, Frontit të Shpëtimit të Shqipërisë dhe opozitës.

Sindikata e Arsimit të Lartë është hedhur në betejë, e pedagogëve. Në datën 5 tetor, kanë shpallur grevën e përgjithshme, protestën, por le të pyesin veten, a janë mësuesit më mirë? Jo mësuesit janë më keq se pedagogët. Si janë mjekët dhe infermirët, nuk kanë qenë kurrë siç janë sot.”- tha Berisha.

Ai shtoi se: “Një publicist i njohur shkruante këto ditë: ‘Vendi im si të thuash jetim, pa sindikata’ Le ti japim përgjigjen shqiptarëve se sindikata është në këmbë. Është e gatshme dhe ju garantoj unë se PD do të jetë në mbështetjen tuaj të plotë totale duke thënë këtë, ajo është e gatshme të thërrasë shqiptarët në protesta të qëndrueshme gjer në rrëzimin e kësaj qeverie në momentin më të përshtatshëm dhe të duhur që do të vendosim bashkërisht.”