Vendosni fjalën kyçe....

Dëmtimi i gazsjellësit Nord Stream 1, akuza të ndërsjella mes palëve


SHBA-ja e BE-ja nga njëra anë e Rusia nga ana tjetër kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella lidhur me dëmtimin e tubacionit të gazsjellësit rus Nord Stream 1 e Nord Stream 2 të hënën.

Sipas mediave gjermane, CIA e kishte lajmëruar më herët Berlinin lidhur me mundësinë e një sulmi në tubacionet e gazit në Baltik.

Ndërkohë Suedia ka nisur hetimet paraprake për një sulm të mundshëm sabotazhi në tubacionet ruse Nord Stream 1 dhe 2, pasi u raportuan disa rrjedhje të mëdha pas humbjeve të papritura të presionit në tre nga linjat e rrjetit të hënën.

“Ne kemi krijuar një raport dhe klasifikimi i krimit është sabotim i rëndë.” – tha një zëdhënës i policisë kombëtare të martën, sipas Reuters.

Më herët të martën, zëdhënësi i Kremlinit Peskov tha se ‘asnjë mundësi nuk mund të përjashtohet’ kur bëhet fjalë për përcaktimin se si u dëmtuan tubacionet në rrjetin e gazit të Detit Baltik.

E përditshmja gjermane Tagesspiegel gjithashtu raportoi të martën se Berlini dyshon se rrjedhjet janë rezultat i një ‘sulmi të qëllimtë’.

Gazeta shpjegoi se një sulm i qëllimshëm në tubacion mund të ishte kryer vetëm duke përdorur forca speciale, zhytës të marinës ose një nëndetëse. Berlini thuhet se beson se sabotimi është kryer ose nga ‘forcat e lidhura me Ukrainën; ose nga vetë Rusia si një operacion ‘i rremë’ për ta bërë Ukrainën të duket keq dhe për të rritur çmimet e energjisë në BE.

Dyshimet për sabotim u rritën pasi shkencëtarët në Danimarkë dhe Suedi thanë se regjistruan shpërthime nënujore pranë tubacioneve të hënën.

 “Nuk ka dyshim se aty kishte shpërthime.” – tha sizmologu Bjorn Lund i Qendrës Kombëtare të Sizmologjisë të Suedisë (SNSN) për transmetuesin publik SVT të martën.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë amerikan i paidentifikuar i tha AFP se Uashingtoni nuk do spekulojë mbi shkakun e dëmit, por është ‘i gatshëm të ofrojë mbështetje’ për Evropën në hetimin e incidentit.

Gazsjellësi Nord Stream 1 përfundoi në vitin 2011. Kremlini nga ana e tij ka komentuar shkaqet e mundshme të dëmtimit të Nord Stream. Tubacionet Nord Stream mund të jenë dëmtuar në një akt sabotimi, sugjeroi zëdhënësi i Kremlinit Peskov kur u pyet për arsyet e mundshme të humbjes së papritur të presionit në tre nga linjat e rrjetit të gazit të Detit Baltik.

Duke folur me gazetarët të martën, Peskov komentoi një deklaratë të bërë nga Nord Stream AG, operatori i rrjetit, i cili tha se tre linja në det të hapur të sistemit të gazsjellësit Nord Stream pësuan dëme ‘të paprecedentë’ në vetëm një ditë.

Ai shtoi se Moska është shumë e shqetësuar për gjendjen dhe bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të plotë mbi incidentin, i cili ka implikime për sigurinë energjetike në ‘të gjithë kontinentin’.