Vendosni fjalën kyçe....

Dita ndërkombëtare e të drejtës për informim/ Meta: Vendimet e qeverisë merren në fshehtësi, askush s’mund t’i shpëtojë detyrimit për llogaridhënie


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka një mesazh për qytetarët me rastin e ditës ndërkombëtare të së drejtës për Informim.

Në një postim në rrjetet sociale, ish-presidenti Meta shprehet se kjo ditë thekson rëndësinë jetike për demokracinë dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Sipas Metës, në vendin tonë vendimmarrjet e rëndësishme të qeverisë merren në fshehtësi dhe errësirë të plotë.

“28 Shtatori, Dita Ndërkombëtare e Të Drejtës për Informim thekson rëndësinë jetike për demokracinë, të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar dhe detyrimit të Qeverisë dhe çdo institucioni për të qenë transparent dhe llogaridhënës.

Për fat të keq, në Shqipëri vendimmarrjet e rëndësishme të Qeverisë, që lidhen me interesin publik merren në fshehtësi dhe errësirë të plotë në funksion të interesave korruptive të saj, ashtu siç ajo bëri me inceneratorët, koncensionet dhe tenderat sekretë.

Propaganda autokratike nuk mund të cënojë të drejtën kushtetuese për informim dhe askush nuk mund t’i shpëtojë detyrimit për të qenë transparent dhe llogaridhënës.”- shkruan Meta.