Vendosni fjalën kyçe....

Fatmir Mediu takohet me Yuri Kim: Shprehu shqetësimin për financimin rus të partive politike


Këtë të mërkurë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Ky i fundit përmes një postimi në rrjetet sociale, ka zbuluar se në fokus të takimit ka qenë shqetësimi i ambasadës në lidhje me financimin rus të partive politike në Shqipëri. Në takim merrte pjesë dhe sekretari Michael Ball.

“Ambasadorja Amerikane prezantoi shqetësimin për ndikimet Ruse në financimin e partive politike.

Në takim u ra dakord për rëndësinë e financimit transparent të partive politike dhe shmangien e ndikimit të aktorëve të huaj në zgjedhjet dhe politikën shqiptare.
Po ashtu bashkëbiseduesit ranë dakord për nevojën e një demokracie funksionale si dhe rolin e rëndësishëm të opozitës.”– thuhet në njoftimin e Partisë Republikane.

Në njoftim bëhet me dije se në takim u diskutua dhe mbi rolin e rëndësishëm të opozitës për pasjen e një demokracie funksionale, si dhe nevoja e bashkëpunimit me NATO-n në përballimin e sulmeve kibernetike.

“Mediu e informoi Ambasadoren Kim dhe z Ball, për vizitën e deputetëve shqiptar të grupit IPAC në SHBA me ftesë të senatorëve amerikanë Menendez dhe Rubio.

Sulmi kibernetik nga Irani ka nevojë për përgjegjësinë dhe angazhimin e fortë të institucioneve shqiptare si dhe domosdoshmërinë për të bashkëpunuar dhe kordinuar me NATO dhe SHBA.”– përfundon njoftimi.