Vendosni fjalën kyçe....

Katër rajone votojnë për t’u bashkuar Rusisë, çfarë pritet të ndodhë në vijim


Republikat Popullore të Donetskut dhe Luganskut (LPR dhe DPR) së bashku me Rajonin Kherson dhe një pjesë të Rajonit Zaporozhye në Ukrainën jugore kanë votuar për t’u bashkuar me Rusinë në referendumet që u mbajtën midis 23 dhe 27 shtatorit, pretendon Moska.

Në Lugansk, më shumë se 98% e votuesve kanë mbështetur idenë për t’u bashkuar me Rusinë, tregojnë shifrat zyrtare me të gjitha fletëvotimet e numëruara. Donetsk ka treguar rezultate të ngjashme me më shumë se 99% të votuesve që mbështesin masën. Të dy rajonet e Zaporozhye dhe Kherson kanë përpunuar të gjitha fletëvotimet deri të martën vonë, me 93% dhe 87% të votuesve që mbështesin përkatësisht ndarjen nga Ukraina dhe bashkimin me Rusinë.

Procesi i integrimit të rajoneve të reja në Rusi mund të marrë pak kohë pasi kërkon miratimin e parlamentit të vendit dhe presidentit. Por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të premten se ai ishte ‘i bindur se kjo do ndodhë shjumë shpejt’.

Sipas Kushtetutës ruse dhe ligjit federal për pranimin e anëtarëve të rinjs, procedura përfshin disa hapa. Sapo rajonet e gatshme të bëhen pjesë e Federatës Ruse e t’i paraqesin propozimet e tyre Moskës, presidenti duhet të informojë parlamentin dhe qeverinë për këtë çështje, shpjegoi senatori Konstantin Kosachev në një postim në Telegram javën e kaluar.

Nëse arrihet një marrëveshje politike për pranimin, duhet të zhvillohen ‘projekt traktate ndërkombëtare për pranimin e shteteve të huaja ose pjesëve të tyre’ në Rusi, tha Kosachev, nënkryetari i dhomës së lartë të parlamentit. Këto marrëveshje rregullojnë çështje të tilla si emri dhe statusi i territoreve të reja, shtetësia, trashëgimia, funksionimi i autoriteteve publike, funksionimi i legjislacionit, e kështu me radhë.

Pas nënshkrimit të këtyre traktateve, Gjykata Kushtetuese ruse duhet të verifikojë nëse ato janë në përputhje me ligjin suprem të vendit. Nëse nuk ka shkelje, hapi tjetër do jetë ratifikimi i dokumenteve nga dhoma e ulët, Duma e Shtetit dhe miratimi i tyre nga dhoma e lartë, Këshilli i Federatës.

Njëkohësisht, një projektligj federal kushtetues për pranimin e njësive të reja përbërëse në Rusi duhet t’i paraqitet Dumës. Nëse miratohet, atëherë ai shkon në dhomën e sipërme për shqyrtim.

“Ky ligj hyn në fuqi jo më herët se hyrja në fuqi e vetë traktateve ndërkombëtare.” – vuri në dukje Kosachev.

Moska paralajmëroi më herët se nëse republikat e Donbasit dhe dy rajonet jugore të Ukrainës bashkohen me Rusinë, ajo do konsideronte çdo përpjekje të Kievit për t’i rimarrë ato si sulme në tokën e saj.

“Menjëherë Kushtetuta ruse do të hyjë në fuqi në lidhje me këto territore ku gjithçka është thënë shumë qartë në këtë drejtim.” – u tha Peskov gazetarëve javën e kaluar.

Menjëherë pasi rajonet vendosën për të mbajtur referendume, presidenti rus Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm që përfshinte thirrjen nën armë të rreth 300,000 rezervistëve, sipas ushtrisë. Raportet e mediave kanë sugjeruar se Moska dyshohet se planifikon të mobilizojë deri në një milion rezervistë.

Kievi i konsideron territoret e gatshme për t’u bashkuar me Rusinë si të pushtuara në mënyrë të paligjshme dhe tha se nuk do i njohë rezultatet e referendumeve. Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky ka përjashtuar çdo mundësi për bisedime pas votimit.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba deklaroi të martën e kaluar se ‘Ukraina ka çdo të drejtë të çlirojë territoret e saj dhe do të vazhdojë t’i çlirojë ato, pavarësisht asaj qqë thotë e bën Rusia’.

BE-ja dhe SHBA-ja e kanë quajtur tashmë votimin ‘fals’. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha CBS të dielën se rajonet LPR, DPR, Kherson dhe Zaporozhye ‘nuk do njihen kurrë’ si pjesë e territorit rus. Ai shtoi se Kievi kishte ‘të gjithë të drejtën’ për t’i marrë ato.