Në një Konferencë për mediet, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për pasojat e krizës energjetike.
Meta akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për keqmenaxhim, duke numëruar sipas tij, ato që nuk janë bërë për energjinë.
Ai akuzoi Ramën se po punon për t’i ngulur thikën në kurriz qytetarëve dhe se rritja e çmimit të energjisë do të ketë kosto për biznesin dhe qytetarët.
“Sot gazifikimi i Shqipërisë ka arritur në pikën zero me këtë kryeministër.
Dështim të plotë përbën mungesa e mbështetjes për instalimet e teknologjisë për prodhimin e energjisë nga burimet e diellit dhe të erës.
Dështim i plotë është modeli financiar i sistemit të energjisë elektrike si dhe administrimi i tij. Vlera e pa arkëtuar është mbi 600 mln euro. Dështim i plotë është mosoperimi edhe sot e kësaj dite e bursës shqiptare të energjisë elektrike. Sipas premtimeve dhe angazhimeve të qeverisë duhet të ishte funksionale që në vitin 2019. Dështim dhe vonesa për 5 vjet janë në projektet e rëndësishme të sistemit të transmetimit.
Kryeministri i dështimeve në këto 10 vite sigurisht që nuk flet dot për këto por përpiqet të shpikë faktorë të tjerë dhe ndërkohë punon për të ngulur thikën e gjithë kësaj krize që ka në thelb hajdutllëkun e tij në kurriz të qytetarëve madje dhe duke mashtruar se kjo nuk do të prekë konsumatorët familjarët.
Do të prekë edhe biznesin dhe sipërmarrjet që do të kenë riskun e falimentimit për shkak të kostove të rritura të energjisë. Ata që do të përpiqen të kursejnë në kushtet e të ftohtit do të shtojnë shpenzimet për ilaçet. Do të vazhdojmë të merremi.”- tha Meta.