Në moshën 100-vjeçare, Charlotte Sanddal ende i lyen gishtat e këmbëve me ngjyrat e ylberit, shijon Chardonnay e saj dhe ndjek me këmbëngulje rekordet botërore të notit.
“Noti më jep qëllim dhe fokus.” – thotë ajo.
Ajo u hodh në pishinë për herë të parë në vitin 1994 në moshën 72-vjeçare. Një veterane e Luftës së Dytë Botërore, ajo sapo kishte dalë në pension nga puna e saj si punonjëse sociale klinike e licencuar për shtetin e Montanës dhe po kërkonte një hobi .
Një mik e bindi atë të regjistrohej për një garë noti të lirë në Olimpiadën e Seniorëve të Montanas.
“Unë mund të kisha qenë e vetmja në grupmoshën time, por kur mora atë medalje të artë, kjo më tërhoqi shumë.” – thotë ajo.
Në pishinën e saj lokale, zonja Sanddal njihet për thonjtë e saj të lyer me ngjyrat e ylberit.
Vajzat nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në sport në vitet kur ajo u rrit vëren zonja Sanddal. Menjëherë pas asaj gare të parë, zonja Sanddal filloi stërvitjen me një program noti pranë shtëpisë së saj në Helena, Montana.
Ajo ngadalë mësoi të merrte kthesën – një teknikë e përdorur për të ndryshuar drejtimet duke bërë salto dhe duke shtyrë nga muri i pishinës me këmbë – dhe i mësoi të katër stilet. “Stili flutur ishte më i vështiri.” – thotë ajo. Tani ajo garon në garat individuale të përziera, ku garuesit notojnë me të katër stilet.
Zonja Sanddal ka konkurruar në më shumë se 400 gara noti Masters. Ajo mban pesë rekorde individuale botërore Masters të ratifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Notit, e njohur si FINA, dhe 10 rekorde individuale të Masters në SHBA.
“Kur futem në ujë, ndihem kaq e lirë. Jam shumë mirënjohëse që jam në gjendje të bëj diçka të mirë për veten që më lidh me një komunitet kaq të mrekullueshëm.” – thotë ajo.
Zonja Sanddal është në pishinë nga ora 9 e mëngjesit katër ditë në javë për stërvitje dhe zakonisht noton një gjysmë milje, duke praktikuar të katër stilet. Tani ajo po përgatitet për garën e radhës ku shpreson të ketë sërish sukses.