Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Edhe diktatori i fundit shqiptar ka qenë 3 herë më i përmbajtur me abuzime se sa Rama


Kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me sindikatat në vend.

Gjatë këtij takimi, Berisha foli për krizën energjetike, rritjen e çmimeve, aferën e inceneratorëve por edhe situatën në arsim.

 Berisha u shpreh se qeveria hedh firma për sipërmarrje fantazmë duke vjedhur 420 milionë euro. Ai u shpreh se edhe “diktatori i fundit shqiptar” ka qenë 3 herë më i përmbajtur me abuzime se sa është sot Edi Rama.

“Jam shumë i gëzuar dhe ju falenderoj për praninë tuaj këtu.

Në situatën vërtetë dramatike në të cilën ndodhet sot Shqipëria, punonjësit, mësuesit, mjekët, minatorët, bizneset e vogla, të rinjtë, studentët, pensionistët, qytetarët me ndihmë ekonomike. Është një situatë e pashoqe, e pashembullt në Europë dhe më gjerë. Është një rrokullisje e madhe e gjendjes ekonomike, morale, në raport më dëshpërimin dhe pesimizmin, e mungesës së plotë të prespektivës me këtë qeveri, që siç jeni dëshmitarë vetë, nuk është gjë tjetër veç se një makineri gjigante mashtrimi ndaj qytetarëve shqiptarë, në çdo deklaratë, firmë, fjalë.

Është një makineri gjigante vjedhje e grabitje të shqiptarëve, një plaçkitëse e pashembullt e fondeve publike, e pasurive kombëtare, dhe vjedhje e pashembullt direkt në xhepat e qytetarëve me çmimet.

Ju jeni sindikalist, por ju siguroj se nuk ka pasur regjim kolonial që të ketë shfrytëzuar një popull të kolonizuar, siç e shfrytëzon me egërsi, Edi Rama dhe qeveria e tij, popullin shqiptar. Ju jeni dëshmitarë dhe i njihni, se si pasuritë përrallore të shqiptarëve, të cilat bëhen miliarda euro, me vlerën e tyre janë shndërruar në një mallkim të vërtetë për qytetarët e këtij vendi. Shfrytëzohen në mënyrë të egër nga klientela e qeverisë, kurse shqiptarët përfitojnë prej tyre, asgjë më shumë seç fitonin të kolonizuarit, nga fillimi i këtij shekulli nga shfrytëzimet e kompanive koloniale.

Ju jeni dëshmitarë se si rrogat mësuesve, mjekëve, infermierëve, të policëve, ushtarakëve, minatorëve, e sektorit privat, gjatë këtyre 9 viteve për shkak të mbi dyfishimit të çmimeve të produkteve bazë të jetesës, jo që nuk janë rritur, por sot të paktën 30 % më të ulëta se në vitin 2013.

Ju jeni dëshmitarë se çfarë përçmimi, qëllimi përçmues mbahet sot ndaj punonjësve në këtë vend, ndaj rrogëtarëve të këtij vendi. Çfarë satre e vërtetë qëndron mbi qafën e tyre me çmimet.

Çfarë mashtrimesh të mëdha bëhen. Firma për sipërmarrje fantazëm që shkojnë në 420 milionë euro, vendosen palë, palë dhe ndërmarrjet nuk ekzistojnë askund. Asnjë incenerator nuk është, tani pas 5 vitesh. Edhe i Elbasanit është jashtë funksionit. Janë me qindra punonjës që janë nxjerrë jashtë sistemeve me kritere strikte politike, jashtë çdo procedure dhe askund nuk gjejnë dot të drejtën e tyre.

Sot një pedagog në Universitetin e Sporteve, shkarkohet edhe pse Senati dhe Komisioni Etik voton kundër shkarkimit të tij, rektori tiran zbaton urdhrin e Ramës dhe e nxjerr nga sistemi. Raste të tilla janë me qindra. Nuk ka më të pasigurtë në botë se sa punonjësit në Shqipëri. Pak ditë më parë, solla një shembull, një mësuese model, 30 vite mësuese në shkollë të mesme dhe tani ja merr orët drejtori dhe i thonë ik në shpi. Nuk ndodh kund, nuk mund të ndodhë, nuk ka ligj që lejon një akt të tillë, të flakësh punonjësit si lecka, pasi kanë shkrirë jetën e tyre në të mirë të shoqërisë dhe profesionit.

Nuk ndodh në Gjermani. Nuk kemi krahasim me Gjermaninë. Por marrim si krahasim Kosovën. A kemi të drejtë të krahasohemi me ta. Kosova, nga kjo para e dhimbjes së qytetarëve, jua kthen të paktën. 100 euro për pensionistët, 100 euro për punonjësit e ndërmarrjeve publike, dyfishim i ndihmës ekonomike. Ndërsa ky tallet, vetëm tallet. Dha 50 mln dhe askush nuk e di si i shpërndan. Diktatori i fundit shqiptar ka qenë 3 herë më i përmbajtur me abuzime se sa është sot Edi Rama.”- tha Berisha.