Sekretari i Përgjithshëm Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në një postim në rrjetët sociale, duke iu referuar raportit Blushi shprehet se në vitin 2021 për koncesionin e hemodializës dhe nga mos unifikimi i faturave janë paguar 2 milion euro nga Buxheti i Shtetit për shërbime që nuk janë kryer kurrë.
Blushi thotë se për këtë “abuzim skandaloz” me taksat e shqiptarëve, zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë duhet të ishin në burg. Ai thekson se PL është e vendosur për të anuluar koncensionet korruptive.
“Njësoj si afera e inceneratorëve edhe koncesionet e shëndetësisë vetëm gllabërojnë lekët e shqiptarëve, që përfundojnë në xhepat e Edi Ramës dhe oligarkëve pranë tij. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin më të fundit, konstaton se në vitin 2021, për koncesionin e hemodializës dhe nga mosunifikimi i faturave janë paguar 2 milion euro nga Buxheti i Shtetit, për shërbime që nuk janë kryer kurrë.
Ky abuzim skandaloz me taksat e shqiptarëve për një shërbim të padhënë vihet në dukje nga KLSH për të disatin vit radhazi.
Në një vend ku drejtësia nuk do të ishte nën kontrollin e Kryeministrit, zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë duhet të ishin në burg për abuzim flagrant me fonde publike në favor të kompanive të lidhura direkt me Edi Ramën.
Shëndetësia është sot më keq se kurrë sepse koncesionet dhe PPP-të u ideuan nga Edi Rama si mjet për zhvatjen e shqiptarëve.
Në vend të investonin për rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve, që të mos iknin masivisht nga Shqipëria, si dhe t’u siguronin shqiptarëve një shërbim shëndetësor dinjitoz, me kosto të ulëta dhe me standarde, Edi Rama, Ogerta Manastirliu dhe Ilir Beqja vendosën t’u japin miliona euro klientëve të Qeverisë, për të mbushur së bashku xhepat e tyre.
Partia e Lirisë është e vendosur të anulojë koncesionet korruptive dhe që çdo pasuri dhe qindarkë të grabitur nga Edi Rama dhe ministrat e tij t’u kthehet shqiptarëve!”- shkruan Blushi.