Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku bën thirrje që ligji për amnistinë fiskale i cili kërkon 84 vota, të mos votohet nga opozita.
Gjatë një deklarate për media, Tabaku u shpreh se ky ligj është një barrë për bizneset e ndershme të vendit dhe kundër procesit të integrimit në BE. Sipas saj, opozita duhet të tregojë që është e bashkuar dhe u bëri thirrje të gjithë kolegëve të mos e votojnë ligjin për amnistinë fiskale.
“Ligji për amnistinë fiskale është një barrë për bizneset e ndershme dhe është një barrë që Shqipëria nuk ka luksin ta ketë.
Ajo që unë kam kërkuar dhe i kërkoj të gjithë deputetëve të Partisë Demokrarike dhe opozitës të mos votohet ligji për amnistinë fiskale, Ligji për amnistinë fiskale kërkon 84 vota dhe që këto vota të arrihen kërkohet të merren ng ai gjithë spektri politik.
Unë besoj se këtu duhet të tregojë opozita që është e bashkuar, me një shenj dhe një sinjal në mbështetje të biznesit të ndershëm dhe procesit të integrimit në BE.”– tha Tabaku.