Vendosni fjalën kyçe....

Apeli lë në “arrest shtëpie” shtetasin kinez të cilësuar si “tepër i rrezikshëm”


Gjykata e Apelit ka marrë vendimin në lidhje me masën e sigurisë për shtetasin kinez Liangbin Chen të arrestuar në muajin korrik në Rinas për mashtrim kompjuterik.

Edhe pse shtetasi kinez është cilësuar si “tepër i rrezikshëm” nga Interpoli, për të gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi Prokuroria u tërhoq nga qëndrimi i saj për ta çuar në burg kinezin.

Më herët avokati i tij tha për mediet se Chen i rrezikohet jeta dhe se Shqipëria nuk duhet ta ekstradojë në Kinë mbasi klienti i tij e la Kinën në 2018 për arsye etnike dhe fetare.

Chen kërkohet nga Kina për grabitjen përmes mashtrimit të rreth 140 milionë eurove.

Hashtag.al e paralajmëroi këtë vendim më herët në fillim të këtij muaji, duke zbuluar “ping-pongun” e tij në gjyqësor që ka alarmuar autoritetet e Interpolit, pasi një gjykatës në Tiranë urdhëroi që të shumëkërkuarit t’i caktohej masa “arrest shtëpie” (Lexo këtu).

“Ne jemi të shqetësuar sepse kalimi i tij në arrest shtëpie duket si një lëvizje e ngjashme me rastin e narkotrafikantit turk Abdulselam Turgut në vitin 2011, i cili pas vendimit të gjykatës u arratis.”– tha për Hashtag.al një burim i Interpol.

Hashtag mësoi se një gjyqtar, një avokat dhe ekspert mjeko ligjor, u bënë pjesë e kësaj “loje” me qëllim që i pandehuri të dilte në gjendje të lirë ose arrest shtëpie dhe të mos mund të ekzekutohet vendimi i ekstradimit drejt Kinës, duke i dhënë atij mundësi arratisjeje.

Arsyeja e kësaj kërkese lidhet me kushtet shëndetësore të këtij shtetasi duke dashur të tregojnë gjendjen e tij shëndetësore “të rënduar”, kjo një “artificë” për të bërë të mundur në dukje kushtet shëndetësore që kërkohen për revokimin e masës së sigurimit personal. Këtu hynë në lojë ekspertët mjeko-ligjorë që sajojnë një akt ekspertimi (kliko këtu) për gjendjen shëndetësore “të rëndë”.