Vendosni fjalën kyçe....

Blushi reagon për raportin e KLSH-së: Po u ‘hanë’ bukën edhe fëmijëve


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas raportit të KLSH-së, i cili ka evidentuar shkelje të rënda për sa i përket kufizimit të ushqimit të fëmijëve jetim të shtëpinë “Zyber Hallulli”.

Blushi thotë se qeveria nuk po kursen as fëmijët, madje po pasurohet me bukën e tyre.

“Po u ‘hanë’ kafshatën edhe jetimëve, pasurohen me bukën që u vjedhin!

Babëzia në vjedhje e Qeverisë nuk po kursen as kafshatën e jetimëve. Auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” ka nxjerrë në dritë provën tronditëse se prej të paktën 4 vitesh, jetimët në këtë qendër po konsumojnë më pak ushqim se sa është përcaktuar në ligj.

Është konstatuar se vlera në lekë e përcaktuar për kuotën ditore për fëmijët jetimë nuk i përgjigjet të njëjtës sasi ushqimore që duhet të konsumojnë, për shkak të mos respektimit të saj nga institucioni, si dhe mos indeksimit të kuotës ushqimore sipas indeksit të çmimeve.

Konkretisht janë shpenzuar 409 lekë më pak të vlerës ditore për secilin fëmijë, duke cenuar detyrimin bazë mbi përkujdesin, respektin dhe përkushtimin ndaj tyre.

Pyetjet që ngrihen sot për fëmijët jetimë janë: Ku përfunduan lekët e kuotës ditore?

Vjedhja e ushqimit të fëmijëve jetimë në qendrat sociale është një nga provat më shokuese se deri ku ka shkuar pashpirtësia dhe babëzia e Qeverisë së Edi Ramës në zhvatjen e shtresave më në nevojë të shoqërisë.

Pasurimi në kurriz të jetimëve është një nga krimet më të shëmtuara!

Përgjegjësisë para ligjit dhe llogaridhënies para popullit shqiptar Edi Rama nuk do t’i shpëtojë kurrë!”– ka deklaruar Blushi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, ku ka konstatuar një sërë shkeljes.

Në raportin e KLSH-së, thuhet se ky institucion nuk ka zbatuar kuotën e nevojshme ushqimore për fëmijët që ndodhen të strehuar aty dhe fëmijët kanë konsumuar më pak ushqim sesa është përcaktuar me ligj.