Vendosni fjalën kyçe....

Dëmi i Nord Stream mund të jetë i pariparueshëm – Media gjermane


Ajo që po pretendohet si sabotim i mundshëm në tubacionet ruse të gazit Nord Stream mund t’u ketë shkaktuar atyre dëme të pariparueshme, raportoi të mërkurën ‘Tagesspiegel’ e Gjermanisë, duke cituar ‘qarqe qeveritare’.

Dy tubacionet u dëmtuan rëndë në fillim të kësaj jave. Nëse dëmi nuk riparohet mjaftueshëm shpejt, shumë ujë i kripur i detit mund të futet në tubat që shtrihen në fund të Detit Baltik dhe t’i gërryejë në mënyrë të pakthyeshme, kanë paralajmëruar zyrtarët gjermanë.

Danimarka tha të mërkurën se autoritetet e saj do jenë në gjendje të nisin një hetim për këtë çështje jo më shpejt se brenda një ose dy javësh për shkak të ‘shqetësimeve të sigurisë’, shtoi Tagesspiegel.

Media nuk përmend ndonjë plan për punë riparimi as nga Rusia, as nga Gjermania. Një grup deputetësh të rëndësishëm gjermanë nxituan të drejtojnë gishtin drejt Rusisë dhe të fajësojnë Moskën për incidentin.

“Një sulm në infrastrukturën e furnizimit me energji synon të përhapë frikë dhe terror.” – tha Roderich Kiesewetter, një deputet gjerman dhe zëdhënës për parandalimin e krizave për grupin parlamentar të Unionit Konservator, për grupin mediatik RND.

“Prandaj, ka të ngjarë që Rusia po përpiqet të ngjallë pasiguri në mesin e popullatës evropiane.” – dhe gjoja të demonstrojë aftësinë e saj për të sulmuar infrastrukturën e rëndësishme, shtoi ai, duke akuzuar Moskën për përdorimin e një qasjeje ‘terrorizmi shtetëror’.

Kreu i Komitetit të Mbrojtjes të Parlamentit Gjerman, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, u tha gazetarëve se ‘nuk mund të përjashtohet që sulme të tilla të drejtohen nga Rusia për të tronditur tregjet tona’. Ajo përdori gjithashtu rastin për t’i bërë thirrje Gjermanisë dhe BE-së që të ‘çlirohen’ nga ‘varësia nga lëndët e para ruse sa më shpejt të jetë e mundur’.

Autoritetet daneze konfirmuan rrjedhjet në tubacione të hënën pasi operatori i tyre raportoi një humbje të presionit në të dy tubacionet Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 më herët atë ditë. Autoritetet daneze dhe suedeze folën më pas për një seri shpërthimesh nënujore në zonë. Autoritetet ruse, amerikane dhe suedeze thanë se rrjedhjet mund të kenë qenë rezultat i një sulmi të qëllimshëm.

BE-ja u zotua për ‘përgjigjen më të fortë të mundshme’ ndaj çdo sulmi në infrastrukturën e saj aktive të energjisë, por nuk përmendi asnjë të dyshuar në incidentin e Nord Stream. Rusia e quajti incidentin një ‘sulm terrorist’ dhe tha se do thërriste një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë.