Vendosni fjalën kyçe....

Disa të arrestuar në Mal të Zi pas dyshimeve se punonin për sigurimin rus, mes tyre dhe ish-zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme


Policia malazeze ka arrestuar disa persona të dyshuar për spiunazh për Rusinë. Kështu ka raportuar këtë të enjte e përditshmja e Podgoricës Vijesti.

Sipas gazetës, agjentët e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB) bënë arrestimin e shtetasve malazezë me urdhër të Prokurorit Special të Shtetit. Një burim i Vijesti tha se një nga të dyshuarit e paidentifikuar, një nëpunës civil, dyshohet se kishte punuar për shërbimet e inteligjencës ruse për të paktën 10 vjet, duke drejtuar një grup spiunësh.

Ky është operacioni i parë kundër personelit të inteligjencës së huaj që vepron në Mal të Zi.

ANB-ja dhe Departamenti i Policisë Speciale kontrolluan disa vende në të gjithë kryeqytetin malazez dhe zona të tjera dhe raportuan se kishin gjetur “artikuj me interes për hetimin”.

Ndonëse kjo nuk është konfirmuar ende nga autoritetet, sipas gazetës dy shtetas malazezë, gjashtë punonjës të ambasadës ruse dhe disa shtetas rusë janë nën hetim nën dyshimin se kanë punuar për shërbimin inteligjent rus.

Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MVP) Radomir Sekuloviç.

Kryeministri malazes Dritan Abazoviç e vlerësoi policinë gjatë një takimi të kabinetit të tij të enjten, duke thënë se bastisjet u përgatitën “në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe kishin për qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare (të Malit të Zi)”.