Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Tattoo”, duke vënë në pranga dy të rinj, të cilët akuzohen se kishin shndërruar një qendër tatuazhesh në zonën e Komunës së Parisit në pikë ku tregtohej lëndë narkotike e llojit kokainë.
Sipas uniformave blu, në pranga janë vendosur shtetasit, rënë Armando Behari, 23 vjeç, administrator i qendrës së tatuazheve dhe Brunald Shakaj 33 vjeç, i akuzuar si bashkëpunëtor.
Policia thotë se në qendrën e tatuazheve, u gjetën dhe sekuestruan disa doza kokainë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Tattoo”, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve.
Goditet 1 rast i veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në një qendër tatuazhesh. Vihen në pranga administratori i qendrës dhe bashkëpunëtori i tij, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të marra në rrugë operative për dy shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë, në një qendër tatuazhesh në rrugën “Sulejman Delvina”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Tattoo”, për kapjen e tyre.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– A. B., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
– B. Sh., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. B. administronte një qendër tatuazhesh, në rrugën “Sulejman Delvina”, në të cilën kryente edhe aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në bashkëpunim me shtetasin B. Sh.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në ambientet e kësaj qendre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi B. Sh. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, duke dalë jashtë banesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.