Vendosni fjalën kyçe....

Finlanda mbyll kufirin për turistët rusë


Finlanda po mbyll kufirin për turistët rusë nga e premtja – fqinji i fundit i Moskës në BE që e bën këtë.

Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania i mbyllën kufijtë e tyre për turistët rusë në fillim të këtij muaji. Por ministri i Jashtëm tha se ka një përjashtim, rusët do të lejohen të vizitojnë familjen ose për punë dhe studime në Finlandë.

Vendimi vjen pasi numri i rusëve që mbërrinin në kufi u rrit, pas thirrjes së presidentit rus Vladimir Putin që 300 mijë rezervistë ushtarakë t’i bashkohen trupave në Ukrainë.

Siç shkruan BBC, radhë të gjata janë krijuar në pikat kufitare ndërsa njerëzit përpiqen të ikin nga Rusia, madje dhe në kufirin e Rusisë në Gjeorgji, e cila nuk kërkon vizë për udhëtime.

Finlanda e cila ndan një kufi 1 mijë e 300 km me Rusinë dhe kërkon vizë – gjithashtu raportoi një rritje të njerëzve që përpiqen të kalojnë kufirin pas mobilizimit të pjesshëm.

Ministri i jashtëm finlandez Pekka Haavisto tha në një konferencë për shtyp se urdhri i mobilizimit kishte një “ndikim të rëndësishëm” në vendimin e tij.

“Vendimi synon të parandalojë plotësisht situatën aktuale të turizmit rus në Finlandë dhe tranzitin e lidhur përmes Finlandës.”– tha ai sipas BBC.

Masa hyn në fuqi në mesnatë dhe gjithashtu ndalon rusët me viza turistike Shengen. Haavisto tha gjithashtu se fluksi i rusëve shihej si një rrezik i marrëdhënieve ndërkombëtare të Finlandës.

Rusët që vizitojnë Finlandën tani do të duhet të aplikojnë për vizë paraprakisht në një qendër në Rusi, me një ftesë qoftë nga një kontakt biznesi ose personal.

Në fillim të këtij muaji, Bashkimi Evropian vendosi gjithashtu ta bëjë më të shtrenjtë dhe më të vështirë për qytetarët rusë marrjen e vizave duke pezulluar një marrëveshje vizash midis BE-së dhe Rusisë.