Në një përpjekje për t’u bërë ‘linja ajrore më gjithëpërfshirëse në qiell’, British Virgin Atlantic hoqi rregullat të mërkurën që kërkonin që stafi i saj të veshë uniforma specifike gjinore. Kjo do të thotë se personeli mashkull tani mund të veshë kostume me fund të kuq në punë.
Kompania, e cila është në pronësi të miliarderit Richard Branson, njoftoi se do përditësonte politikat e saj të identitetit gjinor, duke u mundësuar punonjësve të saj të veshin veshje që ‘shprehin se si ata identifikohen’.
Sipas njoftimit për shtyp të linjës ajrore, personeli tani është i lirë të zgjedhë çdo uniformë të miratuar nga kompania, ‘pa marrë parasysh gjininë, identitetin gjinor ose shprehjen gjinore’. Uniformat janë krijuar për Virgin nga stilistja britanike Dame Vivienne Westwood.
Politikat e përditësuara ofrojnë gjithashtu një mundësi për stafin e Virgin Atlantic dhe pasagjerët që të mbajnë distinktivë përemëror për t’u siguruar që ato trajtohen duke marrë parasysh identitetin e tyre gjinor.
Sistemet e biletave të linjës ajrore do lejojnë gjithashtu personat me një shënues asnjanës gjinor në pasaportë të përdorin kodet gjinore ‘U’ ose ‘X’ në rezervimin e tyre, si dhe titullin ‘Mx’ asnjanës ndaj gjinisë. Megjithatë, kjo veçori është e disponueshme vetëm në një pjesë të vogël të vendeve, duke përfshirë SHBA-në, Indinë dhe Pakistanin.
Për më tepër, Virgin Atlantic ka përditësuar ‘politikat e saj të përfshirjes trans’, duke u dhënë të drejtën anëtarëve të këtij komuniteti të pushojnë për trajtime mjekësore që lidhen me tranzicionin gjinor dhe duke i lejuar ata të zgjedhin ambientet e zhveshjes dhe dushit.
Ky veprim, megjithatë, është pritur me kritika nga disa anëtarë të publikut, të cilët e konsiderojnë vendimin si të diskutueshëm ose madje e shohin atë si ‘çmenduri’.
Ndryshimi i politikave të Virgin Atlantic vjen pasi linjat ajrore të mëdha amerikane ranë dakord në korrik për të përditësuar sistemet e tyre deri në vitin 2024 për t’u mundësuar klientëve të blejnë bileta me një shenjë gjinore ‘X’, që do të thotë se pasagjeri nuk e konsideron veten as mashkull as femër.