Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka pritur sot në një takim ambasadorin Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Siç bëhet me dije në një njoftim për mediet, në këtë takim, Rrumbullaku “falënderoi ambasadorin për vizitën dhe e njohu atë me prioritetet që ai ka për krijimin e standardeve të reja në Policinë e Shtetit, duke u bazuar në tri shtylla kryesore, reforma ligjore, arsimore dhe ajo strukturore.”
Po ashtu thuhet se drejtori i ri i Policisë së Shtetit e ka siguruar ambasadorin se lufta ndaj krimeve ndërkufitare, krimit të organizuar, migracionit dhe trafiqeve të paligjshme janë prioritete, të cilat mund të përmbushen më së miri kur Policia e Shtetit gëzon mbështetjen dhe besimin e partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Sipas Rrumbullakut, Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar mbi baza besimi dhe profesionalizmi, me të gjithë partnerët dhe organizatat ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si edhe me ato që punojnë për rritjen e sigurisë në rajon, Evropë e më gjerë.
Ambasadori Del Monaco nga ana tjetër i uroi Rrumbullakut suksese në detyrën e rëndësishme dhe “e vlerësoi si të shkëlqyer bashkëpunimin e deritanishëm me Policinë e Shtetit në të gjitha fushat, si për Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, Departamentin e Policisë Kriminale, ashtu edhe për strukturat e luftës kundër krimit kibernetik dhe trafiqeve të paligjshme”.
Del Monaco i konfirmoi Rrumbullakut mbështetjen akoma më të madhe të OSBE-së në vazhdim, duke theksuar se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është në dispozicion të Policisë së Shtetit në të gjitha ato fusha ku Policia e Shtetit ka nevojë.