Kreu i qeverisë tha sot se me satelitët që do ngrihen nuk do jetë më mundësia të bëhen ndërtime pa leje pasi ato do vihen re menjëherë prej tyre.
Gjatë prezantimit të ceremonisë për nënshkrimin e kontratës për shërbimin satelitor mes Shqipërisë e kompanisë amerikane ‘Satellogic USA Inc’, Rama tha se gjithçka do mbikëqyret nga qielli në vijim.
Ai paralajmëruar jo vetëm ata që ndërtojnë pa leje po tha se satelitët do mbikëqyrin plazhet, pyjet, liqenet e lumenjtë.
“Për të gjitha ata që na kanë përqeshur për satelitet sot lajmi është që do kemi një kryeinspektorat në qiell që nuk ka kushërinj, parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha. Një detaj që ministri në gjithë renditjen e gjerave që do bëjë ky kryeinspektor nuk e solli në vëmendje është se me satelitë nuk do ketë mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur do nisin, sepse kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës. Nuk kanë sy fare për të parë kur një pallat në krah shton një kat apo dy kate, sepse sytë ua mbyll paraja. Teknologjia është bekimi i vendeve në zhvillim, sepse jep mundësi të bëhen kapërcime të larta. Do kemi mundësi të shohim gjithçka, të monitorojmë të gjitha të mbjellat dhe nuk do jetë e lehtë. E njëjta gjë për plazhet, pyjet, lumenjtë. Të gjitha ndërtimet pa leje, gërryerjet e lumenjve, zjarret, do i kemi në një pasqyrë të vënë para nesh nga kryeinspektorati. Dikur na ndodhte që legalizohej ajri. Aty s’kishte akoma lejë ndërtimi.” – tha Rama.