Vendosni fjalën kyçe....

“Si nuk e pe këtë kullë?”, Rama për ndërtimet pa leje: Rezultat i mosfunksionimit të drejtësisë


Kryeministri Rama ripërsëriti sot se ndërtimet pa leje janë rezultat i problemeve që ka sistemi i drejtësisë, që mbyll sytë para ndërtuesve të mëdhenj e tregohet i ashpër me të dobëtit.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i qeverisë tha se ndërsa policia e ka kryer punën duke referuar rastet problematike, ajo që ka çaluar ka qenë drejtësia.

Të njëjtat akuza ndaj drejtësisë Rama i ka përsëritur në disa raste së fundmi duke thënë se ‘llumi’ në drejtësi ka sjellë këtë gjendje me ndërtimet pa leje.

“Si ka mundësi që ju i patë vetëm tani? Ku i kishit sytë ju, madhe edhe mua vete më drejtohet pyetja si nuk e pe këtë kullë? Beteja më e madhe dhe më e gjatë një proces shtetndërtimi është beteja për të ndërtuar një tërësi institucionesh që funksionojnë si pjesë e një makineria që nuk ka emër të përveçëm. Ne kemi bërë një transformim rrënjësor në raporte mes shtetit dhe qytetarit duke kaluar 95 % të shërbimeve në portalin e-Albania dhe duke i dhënë mundësi që shërbimet t’i marrin pa pasur kontakt me persona të përveçëm. Që është problematika e individëve, emra të përveçëm në funksion të një detyre shtetërore, për të bërë presion mbi biznesin dhe për të marrë ryshfet. Ky është fakt, Këto ngrehina janë rezultat i mosfunksionimit siç duhet të një zinxhiri kontrolli që hallkën e vetë ka drejtësinë që funksionon me të dobëtit, por jo me të fortët. Sa raste kemi dëgjuar kur njerëz me pushet, të parasë, pa fuqi për të devijuar të drejtën publike mbi ta dhe për ta kthyer në një të drejtë personale të blerë me lekë, kanë përfunduar në shkallën e gjykatave. Kanë marrë dënime. Po nga ana tjetër më thoni një rast të një biznesmeni të madh, të një ndërtuesi të madh, abuzuesi të madh që ka përfunduar përpara gjykatës me një akuzë të ngritur nga prokurorët. Më thoni një? I kanë munguar prokurorisë rastet? Jo! Policisë së Shtetit mund t’i vëmë mbi supe kritika sa të duam. Edhe të drejta. Mund ti kërkojmë sa të duam me të drejtë, por nëse prokuroritë dhe gjykatat në këto vite të transforimit të policisë dhe kthimit të saj në krye të detyrës, do i ishin përgjigjur policisë, sot do të kishim rezultate shumë më domethënëse.” – tha Rama.