Suedia ka gjetur një rrjedhje të re në një tubacion të madh nënujor që transporton gazin natyror rus në BE, e katërta e zbuluar këtë javë.
Siç shkruan BBC, roja bregdetare suedeze tha se ata kishin gjetur rrjedhjen e katërt në Nord Stream 2, shumë afër një rrjedhjeje më të madhe të gjetur më parë në Nord Stream 1.
Danimarka dhe Suedia raportuan rrjedhje gazi në tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 në fillim të kësaj jave.
NATO tha se incidentet ishin rezultat i “akteve të qëllimshme, të pamatura dhe të papërgjegjshme të sabotimit”.
Rusia hodhi poshtë akuzat se kishte sulmuar tubacionet e veta. Në vend të kësaj, ministria e jashtme ruse drejton gishtin nga SHBA, duke thënë se shpërthimet kishin ndodhur në “zona të kontrolluara nga inteligjenca amerikane”.
Ambasadori gjerman në Mbretërinë e Bashkuar, Miguel Berger, i tha BBC-së se ishte e qartë se një aktor jo-shtetëror nuk mund të kishte qenë pas incidenteve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se çdo sulm i qëllimshëm do të përballet me një “përgjigje të bashkuar dhe të vendosur”.
Nord Stream 1 dhe 2 nuk po transportojnë gaz për momentin, megjithëse të dy përmbajnë gaz.
Tubacioni Nord Stream 1, i cili përbëhet nga dy degë paralele, nuk ka transportuar asnjë gaz që nga fundi i gushtit kur Rusia e mbylli atë, duke thënë se kishte nevojë për mirëmbajtje.