Besian Xhixha, personi i arrestuar që në qershor të 2021 si pjesë e grupit kriminal që ekzekutoi vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia në Durrës, ka kërkuar nga SPAK që të marrë statusin e të penduarit.
Ai konsiderohet si një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Nuredin Dumanit, i cili ka marrë më herët statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe në kërkesën e tij pretendon se do rrëfejë krime të cilat nuk janë treguar deri tani nga Dumani, shkruan BW.
Në një nga seancat e fundit të zhvilluara në Gjykatën e Posaçme Kundër korrupsionit e Krimit të Organizuar, Xhixha e ka ripërsëritur kërkesën për t’u marrë në mbrojtje. Sipas tij nëse SPAK do kishte marrë dëshminë e tij nuk do kishte kaq shumë të vrarë në Fushë Krujë e Fushë Kuqe.
Besian Xhixha e miku i tij, Enver Diva u arrestuan me urdhër të SPAK më 17 qershor 2021, pasi i penduari i drejtësisë, Klevis Alla i implikonte si bashkëpunëtorë në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në prill të 2020.