Vendosni fjalën kyçe....

Kush përfiton më shumë nga sabotimi i Nord Stream? – Analiza


Nga Stephen Bryen dhe Shoshana Bryen

Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar prej kohësh varësinë e NATO-s (veçanërisht të Gjermanisë) nga gazi natyror rus. Shtetet e Bashkuara, në fakt, përdorën kontrollet e eksportit për të bllokuar tubacionin origjinal Yamal në vitet 1980, duke besuar se kërcënimi i një ndërprerjeje ruse do ndryshonte vendimet politike të Evropës.

Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Donald Trump paralajmëroi evropianët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për potencialin e një ndërprerjeje ruse të energjisë. Ekziston një video e delegacionit gjerman në UNGA që shfaqet duke u tallur me ish-presidentin amerikan Trump. Më pas ndodhi sulmi ndaj Ukrainës dhe shkurtimet e mëdha në dërgimin e gazit natyror rus në Evropë.

Tani, ndërsa Norvegjia dhe Polonia njoftojnë hapjen e gazsjellësit Trans Baltik, tubacionet e Rusisë Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 janë dëmtuar pranë ishullit danez të Bornholm në Detin Baltik. Tre shkelje të veçanta të tubacionit janë të dukshme, duke përjashtuar në thelb mundësinë e një defekti teknik.

Ndërsa tubacionet tani për tani nuk funksionojnë, ato mbahen të mbushura me gaz natyror nën presion dhe gazi po fryn deri në sipërfaqe. Kjo sugjeron se dëmtimi në të dy tubacionet ishte i konsiderueshëm, megjithëse mbetet për t’u bërë një vlerësim i plotë.

Riparimet, duket se do kërkojnë pak kohë edhe nëse i jepet përparësi gazsjellësit të parë Nord Stream, duke e bërë të pamundur që ai të kthehet në shërbim para dimrit, edhe nëse ka një ndryshim në situatën politike.

Supozimet e para kanë qenë se tubacionet Nord Stream u sabotuan në një përpjekje për të ndikuar në luftën e Rusisë në Ukrainë. Një operacion i tillë do kërkonte aftësinë për të lokalizuar tubacionet dhe për të vendosur ngarkesa shpërthyese në tre vende të ndryshme. Nëse kjo ka ndodhur, pyetja është kush e bëri atë dhe pse?

Tubacionet Nord Stream janë në thellësi detare që variojnë nga 80 në 110 metra. Për të bërë të mundur shpërthimet janë dashur të përdoren mjete detare zhytëse.

Tubat nënujorë të Nord Stream janë bërë prej çeliku të klasit DNV SAËL 485 (të ngjashme me klasën X70) për trashësi muri që shkojnë nga 26.8 në 34.4 milimetra dhe janë prodhuar nga gjashtë prodhues të kualifikuar (një në Rusi, katër në Evropë dhe një në Japoni). Përveç kësaj tubat janë të mbështjellë me beton e kësisoj dëmtimi i qëllimshëm nuk do të ishte i lehtë. Ukraina ka thënë tashmë se sabotimi është kryer nga rusët.

“Rrjedhja e gazit në shkallë të gjerë nuk është gjë tjetër veçse një sulm terrorist i planifikuar nga Rusia dhe një akt agresioni ndaj BE-së.”shkroi në Twitter këshilltari presidencial i Kievit, Mikhaylo Podolyak.

Problemi me këtë argument është se Rusia do humbiste gjithë ndikimin e saj me Evropën nëse do shkatërronte tubacionet e veta. Të dy Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 janë në pronësi të një projekti të përbashkët. Gazprom ka 51% dhe katër partnerë perëndimorë pjesën tjetër.

PEGI/E.ON (EONGn.DE) dhe Wintershall Dea (WINT.UL) (BASFn.DE) kanë nga 15.5% secili dhe French Engie (ENGIE.PA) dhe holandezët e Gasunie (GSUNI.UL) nga 9% secila.

Ukraina nga ana e saj  mund të jetë një kandidate në përpjekjen për të dëmtuar Rusinë ekonomikisht, tani dhe në të ardhmen. Por nëse është kështu dhe Ukraina zbulohet si fajtori, marrëdhëniet e saj me Evropën dhe NATO-n do dëmtoheshin jashtëzakonisht shumë.

Pothuajse çdo vend evropian ka aftësinë teknike për të operuar në det të hapur me mjete të pilotuara në largësi dhe disa prej tyre kanë shërbime ushtarake nënujore të cilat mund të sulmojnë dhe shkatërrojnë objektivat nënujore. Por cili shtet evropian do dëshironte ta bënte këtë?

Do të ishte shumë e rrezikshme për çdo shtet evropian të kryente një operacion sabotues kundër dy tubacioneve. Së pari, ashtu si rusët kanë nevojë për Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 që të jenë të paprekura për arsyet e tyre, evropianët kanë nevojë për to njësoj për shkak të dërgesave të ardhshme të gazit. Për më tepër, një veprim i tillë mund të konsiderohet nga Rusia si një akt lufte.

Megjithatë, ka disa përjashtime të mundshme. Finlanda është në një mosmarrëveshje serioze me Rusinë që filloi me vendimin e Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO. Në maj, Rusia ndërpreu furnizimin me gaz në Finlandë dhe më herët Rusia ndaloi furnizimet me energji elektrike.

Por është e vështirë të kuptohet pse Finlanda mund të konsiderojë tubacionet Nord Stream si një objektiv për çdo hakmarrje. Vetë Finlanda ka vendosur embargo ndaj qymyrit dhe naftës ruse.

Rusia ka gjithashtu një marrëdhënie shumë të tensionuar me shtetet baltike dhe secili prej tyre mund të kryejë akte sabotuese kundër tubacioneve Nord Stream. Megjithatë, fakti që kjo do e privonte Evropën nga furnizimet e gazit në të ardhmen e afërt, duke supozuar fundin e sanksioneve, e bën këtë një lëvizje të pamundur për çdo vend që varet nga NATO për sigurinë.

A mund të ketë sabotuar SHBA-të tubacionet Nord Stream për të hequr ndikimin e presidentit rus Putin mbi Evropën këtë dimër?

Nëse në Uashington kishte frikë se Evropa mund të thyente marrëveshjen për sanksionimin e Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, për të shpëtuar veten nga një krizë energjetike këtë dimër, atëherë mund të kishte logjikë në një lëvizje të tillë, por edhe rreziqe të mëdha politike, strategjike dhe të sigurisë.

SHBA është bërë një lojtar i rëndësishëm energjetik që dërgon LNG në Evropë në sasi gjithnjë në rritje. Evropa ka përdorur LNG e furnizuar nga SHBA-ja për të ndihmuar në mbushjen e rezervuarëve të saj të magazinimit për dimrin e ardhshëm.

Shumica e dërgesave amerikane kalojnë përmes Francës, me Spanjën dhe Holandën si rrugë dytësore. Ka raporte që SHBA-ja e ka aftësinë për të ofruar LNG në Evropë dhe Azi por çmimet e gazit natyror në SHBA mund të rriten ndjeshëm nëse dërgohet më shumë LNG.

Askush nuk mund t’i përgjigjet pyetjes se kush e sabotoi gazsjellësin Nord Stream. Sidoqoftë, sabotimi i dukshëm i tubacioneve tregon papërgjegjshmërinë e Evropës në pranimin e gazit nga një armik i njohur dhe fakti që ia hodhën me të për 37 vjet, në retrospektivë, është i mahnitshëm.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Asia Times