Ministria e Kulturës e Marokut ka akuzuar gjigantin e veshjeve sportive Adidas se ka përvetësuar kulturën e tij kombëtare në bluzat e reja për ekipin e futbollit të Algjerisë.
Adidas ka pohuar se modeli është frymëzuar nga Pallati Mechouar i Algjerisë. Por modeli blu, i kaltër dhe i verdhë është një model maroken i quajtur ‘zellige’ dhe gjendet zakonisht në mozaikët lokalë marokenë, sipas avokatit të ministrisë, Mourad Elajouti.
Si pjesë e një postimi në Facebook, Elajouti tha se në emër të ministrisë i kishte bërë një paralajmërim ligjor kompanisë gjermane Adidas.
Në letrën e tij drejtuar shefit ekzekutiv të Adidas, Kasper Rorsted, Elajouti kërkoi që kompania të hiqte modelin brenda dy javësh pasi ishte një ‘përvetësim kulturor’ dhe ‘një përpjekje për të vjedhur një formë të trashëgimisë kulturore marokene dhe për ta përdorur atë jashtë kontekstit të saj’.
Elajouti shtoi se fanela e re e Algjerisë ‘ndihmon në humbjen dhe shtrembërimin e identitetit dhe historisë së këtyre elementeve kulturore zellige’ si pjesë e një mosmarrëveshjeje të re të mundshme midis dy fqinjëve.
Maroku dhe Algjeria ndajnë një kufi të gjatë rreth 1900 kilometra në Afrikën veriore, i cili ka qenë një burim i vazhdueshëm tensioni që kur fituan pavarësinë nga sundimi kolonial francez.
Vitin e kaluar, Algjeria ndërpreu lidhjet diplomatike me Marokun për ‘akte armiqësore’ të perceptuara në një lëvizje që Maroku e quajti ‘plotësisht të pajustifikuar’.