Në konferencën e sotme për mediet, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është pyetur në një konferencë për mediat për takimin me ambasadoren Yuri Kim.
Meta u pyet nëse i është kërkuar një distancim nga Sali Berisha, pasi mbrëmjen e kaluar ambasadorja tha në një program televiziv se një kufizim në marrëdhëniet e saj me partitë politike është Sali Berisha i shpallur “non grata”.
“Kemi pasur një bisedë të hapur e bashkëpunuese, sikurse dhe vetë me aq sa kam ndjekur është shprehur zonja ambasadore, ne nuk ndajmë të njëjtat mendime e vlerësime për çdo gjë. Kjo është normale se unë jam politikan ndërsa zonja ambasadore diplomate e do i përmbahet udhëzimeve që merr.
Ajo që është me rëndësi sa i takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA besoj se bashkëpunimi është i shkëlqyer në gjithë fushat.
Sa i takon çështjeve të brendshme, respektojnë zgjedhjet e çdo force politike dhe të qytetarëve shqiptarë dhe jam i sigurt që do respektojnë dhe çdo vendim të hapur e demokratik që merr Partia e Lirisë.
Në çdo rast marrëdhëniet e PL me SHBA nuk cënohen. Mos harroni që Amerika është vendi i lirisë, dhe në finale mbizotëron vullneti i popullit dhe Amerika e ka treguar që e respekton vullnetin e popullit.”– tha Meta.