Vendosni fjalën kyçe....

Petrit Vasili: Të shkrihet Bordi i Transparencës, po grabit shqiptarët e mbush xhepat e oligarkëve


Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka bërë sot përsëri thirrje për shkrirjen e Bordit të Transparencës, pasi sipas tij po grabit shqiptarët.

“Qeveria ka ngritur një mekanizëm që quhet Bordi i Transparencës, por që është Bordi i Hajdutëve.”- tha Vasili.

Sipas deputetit të PL-së, tashmë është shumë e qartë, që ky bord është një “grup hajdutësh” ku të dy palët qeveri dhe oligarkët e ulur në tavolinë kanë vetëm një motiv “sesi të vjedhin gjithmonë dhe më shumë shqiptarët”.

Vasili kujton edhe deklaratën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili gjithashtu gjykon se Bordi duhet zëvendësuar “me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve”.

DEKLARATA E PLOTË E VASILIT

Bordi i Hajdutëve apo Transparencës siç e quan qeveria u vetëasgjesua me vendimin e tij të fundit për rritjen 10 lekë të çmimit të naftës. Duke e çuar atë në 229 lekë.

Ky vendim, është një vjedhje e hapur dhe flagrante pasi vetë argumentet e bordit e rrëzojnë atë plotësisht. Shoqata e Hidrokarbureve ka evidentuar qartë se rritja e naftës në bursen Platzz ishte vetëm 3 dollarë me një efekt prej 3 lekë për litër, ndërkohë që bordi e rriti 10 lekë për litër. Do të thotë që 7 lekë të tjera do të vinin si pasojë e rritjes së kursit të dollarit. Por në fakt, duke ju referuar Bankës së Shqipërisë ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Pasi kursi i dollarit në raport me lekun ka një rënie prej 1.5 pikësh, duke arritur në 120.47 nga rreth 122 që ishte më parë. Kjo rënie që vazhdon, e sot që flasim ka arritur në 118.85 e megjithatë bordi në vend që ta ulte sipas argumenteve të veta vazhdon ta mbajë të rritur.

Është shumë e qartë, që ky bord është një grup hajdutësh ku të dy palët qeveri dhe oligarkët e ulur në tavolinë kanë vetëm një motiv sesi të vjedhin gjithmonë dhe më shumë shqiptarët.

Qeveria mbush arkën për të paguar koncesione dhe tendera e të tjerë. Kurse oligarkët mbushin xhepat e tyre dhe të qeverisë. Prej kohësh kemi kërkuar shkrirjen e menjëhershme të këtij bordi hajdutësh, gjë të cilën e ka kërkuar qartë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i cili thotë: “Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve.

Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal”. Kemi propozuar që 7 muaj më parë një projektligj në Parlament për pezullimin e taksës së qarkullimit dhe të karbonit por qeveria që ka rrëmbyer prej gryke dhe Parlamentin e ka bllokuar me çdo mjet shqyrtimin e tij. E ka bllokuar sepse nuk ka asnjë interes që të lehtësojë shqiptarët nga dara e çmimit të rritur të naftës por kërkon t’i zhvasë me çdo mjet dhe mënyrë. Është fakt asgjësues që çmimet e naftës në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi i nxjerrin bojën qeverisë së Rilindjes. Pasi Kosova e ka çmimin 1.6 euro, Maqedonia 1.48 dhe Mal i Zi 1.68, ndërkohë që Shqipëria e ka çmimin rreth 2 euro për litër. Diferenca e vetme midis tyre është sepse në këto vende ka qeveri të përgjegjshme kurse në Shqipëri ka një qeveri hajdute. Rruga e vetme që shqiptarët të mos vidhen më e të mos largohen nga vendi i tyre është vetëm shporrja një orë e më parë e kësaj qeverie grabitqarësh dhe rrëmbyesish.