Vendosni fjalën kyçe....

Putin firmos traktatet, shpall 4 rajonet e aneksuara nga Ukraina si ruse


Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar sot traktatet për aneksimin e zonat e pushtuara të Ukrainës.

Ai tha se do të përdorte “të gjitha mjetet në dispozicion” për të mbrojtur territorin që zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë thanë se Rusia po e pretendonte në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në një fjalim para ceremonisë së nënshkrimit të traktateve, Putin i kërkoi Ukrainës që të ulet për bisedime për t’i dhënë fund shtatë muajve të luftimeve që filluan kur ai urdhëroi trupat e tij të pushtonin vendin fqinj. Por siç shkruan AP, ai paralajmëroi se Rusia kurrë nuk do të heqë dorë nga rajonet e marra dhe do t’i mbrojë ato si pjesë e territorit të saj sovran.

Ceremonia vjen tre ditë pas përfundimit të “referendumeve” të orkestruara nga Kremlini për bashkimin me Rusinë, të cilat u hodhën poshtë nga Kievi dhe Perëndimi.

Putin tha se autoritetet ukrainase duhet “të trajtojnë me respekt” rezultatet e votave dhe paralajmëroi ashpër se Rusia nuk do të dorëzonte kurrë kontrollin e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.

Të dy dhomat e parlamentit rus të kontrolluar nga Kremlini do të takohen javën e ardhshme për të vulosur traktatet që rajonet t’i bashkohen Rusisë, duke ia dërguar ato Putinit për miratimin e tij.

Zyrtarët ukrainas hodhën poshtë vërejtjet e Putinit, duke thënë se e ardhmja e Ukrainës po vendosej në fushat e betejës së Ukrainës.

“Ne vazhdojmë të punojmë dhe të çlirojmë territoret e Ukrainës. Dhe ne nuk u kushtojmë vëmendje atyre që u ka ardhur koha për të marrë pilula.”– tha Andrii Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas. “Ushtria po punon, Ukraina është e bashkuar.”

Rajonet separatiste Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore janë mbështetur nga Moska që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2014, disa javë pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës. Rajoni jugor Kherson dhe një pjesë e Zaporizhzhias fqinje u kapën nga Rusia menjëherë pasi Putin dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt.