Vendosni fjalën kyçe....

Sulm në një shkollë në Afganistan, vriten 19 persona


Autoritetet talebane raportuan të premten se të paktën 19 persona u vranë dhe 27 të tjerë u plagosën në një sulm vetëvrasës në një qendër arsimore në Kabul, Afganistan.

Shpërthimi ndodhi kur shkolla Kaaj në lagjen e 13-të të Kabulit po përgatitej për provimet pranuese, tha zëdhënësi i policisë së qytetit Abdul Nafy Takor në Twitter.

Gazeta TOLO News e Afganistanit tha se sulmi ndodhi rreth orës 7:30 të mëngjesit me kohën vendase.

Pamjet që supozohet se janë marrë në shkollë, të cilat janë shpërndarë në mediat sociale, tregojnë trupa të gjakosur të mbuluar me çarçafë dhe njerëz në vendngjarje.

Godina ku ndodhi shpërthimi ndodhet në lagjen Dashti Barchi të Kabulit, ku jetojnë anëtarë të pakicës shiite Hazara, raportoi AFP. Ata janë persekutuar dhe vënë në shënjestër prej vitesh, duke përfshirë edhe sulmet me bomba.

Edhe pse asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për bombardimin e fundit, organizata terroriste IS ka ndërmarrë sulme të shumta të tilla në të kaluarën.

Talibanët dhe IS janë armiqësorë ndaj njëri-tjetrit. Luftimet e tyre kanë qenë një shkak kryesor i dhunës në Afganistan që kur talebanët rimorën kontrollin e vendit vitin e kaluar, pas një lufte guerile të gjatë kundër qeverisë afgane së mbështetur nga SHBA-ja.