Vendosni fjalën kyçe....

Balla pas takimit me Kovaçevskin: I rëndësishëm bashkëpunimi për të penguar minimin e demokracisë nga Rusia


Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka zhvilluar dhe një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Pas këtij takimi, Balla tha se bashkëpunimi dypalësh për të përballuar sfidat i detyron dy qeveritë të hartojnë strategji të përbashkëta. Ndaj ai u ndal si një nga këto strategji tek hartimi i një legjislacioni, për të penguar ndërhyrjet e Rusisë përmes financimit të partive politike apo medieve.

“Bashkë me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, patëm mundësinë që pas takimit me presidentin Pendarovski, me kryeparlamentarin Xhaferri, të zhvillojmë një takim dhe me kryeministrin Kovaçevski.

Natyrshëm që bashkëpunimi mes dy qeverive tona është një bashkëpunim i shkëlqyer dhe shumë planesh. Sfidat e reja të vendosura të ndërhyrjes ushtarake së Rusisë në Ukrainë kanë sjellë si impakt inflacionin e luftës, rritjen e çmimeve, krizën energjetike, janë sfida që ne mund t’i përballojmë nëse dime të bashkëveprojmë dhe me fqinjët tanë dhe Maqedonia e Veriut është një fqinj me të cilin na ndajnë shumë lidhje të ngushta tradicionale dhe historike. Fakt është që faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe ai maqedonas në Shqipëri janë ura të rëndësishme lidhjeje mes dy popujve tanë.

Sfida plot të mëdha na bëjnë të detyrueshëm të hartojmë strategji të përbashkëta sikurse është bërë dhe publik nga agjencitë e specializuara, edhe Maqedonia ka qenë pre e përpjekjeve të Rusisë për minimin e demokracie, dezinformimi, duke sponsorizuar lajme të rreme apo keqinformim në rrjetet sociale, etj.

Është e rëndësishme të bëjmë në kohë legjislacionin që kanë të bëjnë me financimin e partive, mediave, fushatave elektorale, për të penguar sadopak përpjekjen e Rusisë për të minuar demokracinë.”- tha Balla në një videomesazh pas takimit me Kovaçevskin.

Krahas videos, Balla përmend Ballkanin e Hapur duke e konsideruar si instrumentin e duhur për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ndërsa Procesi i Berlinit prej tetë vitesh është instrumenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ballkani i Hapur dëshmon çdo ditë të jetë instrumenti i domosdoshëm për implementimin në terren të katër lirive themelore të BE-së, duke garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Të mos harrojmë se jemi një rajon që rrethohet prej kufijve të BE-së dhe është i ekspozuar ndaj aktorëve jomiqësorë”– shkruan Balla.